LV-ja s’ka shumicë parlamentare, Hoti: Të ketë dakordim sa më parë për zgjedhje të reja

05 qershor 2025 | 13:42

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shumicë parlamentare “që është gjëja elementare” dhe se partitë duhet të dakordohet sa më parë për zgjedhje të reja ngase “vendi nuk mund të lihet pa institucione”.

“Rrjedhimisht, është detyrim i forcave politike që të ulen sa më parë dhe të bien dakord për një datë të re zgjedhjesh. Vendi nuk mund të lihet pa institucione. Nëse forcat politike nuk arrijnë të merren vesh për të formuar shumicën parlamentare, atëherë fjalën duhet ta ketë sërish sovrani”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Postimi i Hotit:

Krizat politike në një demokraci mund të ndodhin, por është papërgjegjësi e forcave politike nëse ato thellohen dhe zgjasin, duke krijuar kosto për çdo qytetar dhe biznes.

Pavarësisht të drejtës që ka partia e parë që del nga zgjedhjet për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit dhe për të marrë e para mandatin për formimin e Qeverisë, institucionet e reja që duhet të dalin nga zgjedhjet nuk mund të formohen pa u siguruar shumica parlamentare. Ky është një rregull elementar i sistemit tonë kushtetues, i cili është i ngjashëm me shumicën e sistemeve kushtetuese të demokracive perëndimore.

Pas 27 dështimeve për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, është e qartë se partia e parë ka dështuar të formojë shumicën parlamentare. Rrjedhimisht, ajo duhet ta pranojë këtë dhe të kërkojë konsultime me partitë e tjera për modalitetet kushtetuese të daljes nga kriza politike.

LDK-ja, në mungesë të krijimit të një shumice parlamentare dhe duke e bërë të qartë se, për shkak të rezultatit zgjedhor, do të qëndrojë në opozitë pa u bërë pjesë e asnjë lloj shumice parlamentare, ka propozuar një qeveri gjithëpërfshirëse kalimtare, me mandat dhe kohë të kufizuar. Ky propozim kërkon konsensus nga të gjitha forcat politike, konsensus i cili duket qartë se nuk ekziston.

Rrjedhimisht, është detyrim i forcave politike që të ulen sa më parë dhe të bien dakord për një datë të re zgjedhjesh. Vendi nuk mund të lihet pa institucione. Nëse forcat politike nuk arrijnë të merren vesh për të formuar shumicën parlamentare, atëherë fjalën duhet ta ketë sërish sovrani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cesc Fabregas, trajneri i Comos, ka paraqitur kërkesat e tij…