
LV s’heq dorë nga Haxhiu: Konstituimi i Kuvendit i pasigurt
Pas më shumë se tri javësh pauzë, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të tentojnë sërish konstituimin e institucionit më 20 gusht, nga ora 11:00.
Ky hap vjen pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila urdhëroi zgjedhjen e kryeparlamentarit brenda 30 ditësh përmes votimit të hapur, duke përcaktuar se kandidati mund të votohet vetëm tri herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.
Megjithatë, shanset për sukses duket se janë të pakta.
Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul sërish në emrin e Albulena Haxhiut, ndërsa opozita e deritashme nuk tregon gatishmëri për kompromis.
Njohës të çështjeve kushtetuese paralajmërojnë se dështimi mund ta çojë vendin në një situatë të re institucionale.
Në vazhdimin e seancës më 20 gusht, Lëvizja Vetëvendosje (LV) do të propozojë sërish Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit të Kosovës, konfirmon deputeti i partisë, Arbër Rexhaj, për Radion Evropa e Lirë.
“Nëse brenda tri herësh nuk zgjidhet zonja Haxhiu, sigurisht që ne do ta diskutojmë veprimin e ardhshëm brenda grupit parlamentar”, thotë ai.
Rexhaj kujton se kryeministri në detyrë dhe udhëheqësi i LV-së, Albin Kurti, ka premtuar se do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por shpreh shqetësim për kufizimin që ajo ka vendosur: një kandidat për kryetar Kuvendi mund të propozohet vetëm tri herë.