LV, SILLU E PËSHTILLU KAH DARDHA E AHMATIT!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Thembra e Akilit – formimi i institucioneve: KM kujdestar i Kosovës në pyetjet për formim të institucioneve u deklarua se zgjedhja e presidentit/es është hapi i katërt. Njëherë duhet të certifikohen rezultatet në zgjedhjet e vjedhura dhe të blera pas së cilës vijnë hapat e demonstrimit të ndershmërisë institucionale siç është formimi i Kuvendit, qeverisë dhe presidenti/ja si bira e fundit e kavallit! As në Banglladesh nuk janë vjedhur dhe blerë votat si në zgjedhjet e fundit lokale dhe të përgjithshme në Kosovë. Ndërkombëtarët e kanë të vetmin qëllim si ta bëjnë Zajebnicën dhe federalizimin e Kosovës që Albin Zeza e pranoi me Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit me ndihmën e projugosllavit legjendar, Veton Surroit dhe mercenarit emblematik, Marc Weller, “dhëndrit të Kosovës”. Që të dy e materializuan mirë këtë poshtërsi ndërsa Kurthit i mbeti qepa e ngulur. Kjo është arsyeja kryesore pse Kurthi e ka bllokuar jetën institucionale dhe politike në Kosovë duke e prurë vendin buzë vdekjes klinike. Për këtë arsye Kurthi aq ulët, përmes idiotëve funksionalë e sulmon Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Prokurorinë e Shtetit dhe Gjykatat nëse nuk ia “kruajnë bishtin”. Për këtë arsye i mbron me aq pasion hajnat milionësh të pushtetit duke i lënë të kullotin buxhetin e Kosovës më lirë se në “bahçe të babës”. Për këtë arsye ka qitë pushkë 55 herë për Lenka Haxhiun ndonëse e dinë shumë mirë kapacitetin e saj profesional. Për këtë arsye ka sistemuar për shtatë palë qejfe spiunët e UDB-së dhe i lufton pamëshirshëm dhe poshtërisht ish të burgosurit politik dhe UÇK-në! Për këtë arsye Nenad Rashiqit po i vendosë rreth kokës aureolën e Shqiptarit të Madh dhe Patriotit antikushtetues. Dhe shumë për të tjera.
Po si do të formohet Kuvendi? LV, pas zgjedhjeve të vjedhura dhe të blera i ka 57 deputetë, kape njërin e mëshoji tjetrit në aspektin kombëtar dhe profesional.
Gjykata Kushtetuese e bëri të qartë se nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e serbëve e propozon subjekti që ka numrin më të madh të deputetëve, në rastin konkret Lista Serbe me 9 – të deputetë e jo Nenad Rashiqi me 1 deputet. Deputetët e Kuveleshit të LV-së në KQZ kundërshtuan certifikimin e LS-së, në emër të një patriotizmi folklorik kurse deputetët qyqarë të opozitës abstenuan ndonëse ligji dhe Kushtetuta ishin në anën e tyre. Oportunistë frikacakë, as mish e as peshk. Opozitë e tredhur! Opozitë fiktive! Opozitë e mjerë! Sa për opozitën, Kurthi me çetën e injorantëve dhe hajdutëve që e përcjellë si grigjë, do ta mbajë pushtetin si Titoja, Stalini dhe Enver Hoxha. Kombëtarisht, politikisht dhe ideologjikisht është pjellë e tyre. Nuk e kam të qartë si do të formohet Kuvendi i Kosovës pa u zgjedhur nënkryetari nga Lista Serbe?! Nuk ka asnjë dallim nëse votohet individualisht apo në pako. Disi duhet të votojnë për ta formuar Kuvendin. Disa deputetë të LV-së, intelektual të jashtëzakonshëm në me krye Aristotel Agim Bahtirin, botërisht janë betuar se: “më parë do t’i presin duart se që do ta votojnë Listën Serbe..”. Nëse ky zotim publik do të jetësohet, shumë deputetë të LV-së do të mbesin pa duar, sikur hajnat në shtetet arabe që kapen duke vjedhur dhe dënohen sipas Ligjit të Sheriatit! A do të ndodhë kjo në Kosovë?! Nuk e besoj sepse këtu nuk zbatohen Ligjet e Sheriatit por “Rregullat e Kurthit” që nënkupton se mund të vjedhësh sa të duash, pa humbur asgjë! Lëre më duart! Me çka do të vjedhësh pastaj, nëse mbetesh pa duar?! Do ta kemi një situatë kur: “edhe ujku (Kurthi) do të jetë i ngopur, edhe delet (hajnat) e grigjës do të mbeten në numër”!
Nenad Rashiqin për president: Presidentja në theqafje, Vjosa Osmani i ka ndezur të gjithë motorët edhe për një mandat tjetër presidencial. Nuk po zgjedhë mjete për të arritur qëllimin. Po i llaskucavet Trampit, Melanisë, analistëve, gazetarëve, politikanëve, të rinjve dhe të moshuarve, tregut të brendshëm elektoral dhe diasporës, urbi et orbi ku sigurohen votat. Po fjalën e fundit e kanë deputetët, motorët i mbushë me vota ekskluzivisht Kurthi, ky autokrat pa dhëmbë dhe njeri pas asnjë ndjenjë apo empati. A ka interes Kurthi ta rizgjedhë përsëri pronaren e
“shtëpive në varg” presidente? Në mandatin e parë Vojsa Osmani ishte rrogëtare e bindur e Kurthit, jo shkaku i respektit por shkaku i nevojës për mandat të dytë. Për këto ditë. Hipotetikisht, nëse Osmani rizgjedhet presidente, Kurthi nuk ka asnjë mekanizëm apo mundësi detyrimi ta mbajë nën kontroll apo ta disiplinojë. Ky do të ishte mandati i fundit i Vjosa Osmanit dhe rrjedhimisht ajo nuk do të luftonte më për Kurthin por për karrierën e saj postpresidenciale. Edhe nëse 120 deputetë kërkojnë shkarkimin e presidentes/it, kjo nuk mund të bëhet. Në këtë lojë të fëlliqur kjo është përparësi e Vjosa Osmanit dhe hendikep i Albin Kurthit. Pastaj, për krijimin e Zajebnicës dhe zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, Albin Kurthit i duhet një koçemadh, me pak tru, ku Kurthi do të mrizonte nën mrizin e tyre. Opozita nuk duhet ta votojë asnjë kandidat të propozuar nga Kurthi për president/e. Opozita duhet ta propozojë kandidatin, si një kompromis politik me Kurthin. Asgjë më pak se aq!
Vjosa Osmani duhet të jetë kandidati i fundit që propozohet për president, nëse raca njerëzore rikthehet në kohën e Adamit (Albinit) dhe Vjosës (Evës).
Vjosa Osmani është anëtare e “Bordit të Paqes”, një OQ (Organizatë Qeveritare) personale e presidentit Tramp. Çfarë emërtimi mizor dhe cinik, nënshkruese janë kryesisht shtetet që kanë probleme me paqen, republikat banana, shtetet autokrate dhe diktatoriale ku respektimi i të drejtave të njeriut është mision non grata, i padëshiruar dhe i pamundur. Imelda Markos e Kosovës është një diktatore e vogël, sipas kaçikut. Më shumë i duhet Trampit, se Kosovës!



