
MA*AKRA E DUBRAVËS (1)
Për tragjedinë e ndodhur në burgun e Dubravës ndaj të burgosurve shqiptar gjatë periudhës 19-24 maj 1999, flasin ish-të burgosurit e mbijetuar.
Nga: Bedri Halimi
Përsonazhet; NAIT HASANI, ISTREF HASANI, ENVER DUGOLLI, HAJREDIN HYSENI, ISMET MAHMUTI, XHELAL CANZIBA, NIJAZI KRYEZIU, BISLIM ZOGAJ, NAIM LUSHI, SALI ZARIQI, BESIM ZYMBERI, NASER SHPORTA, BAJRUSH XHEMAJLI, AVNI KLINAKU, AVDI MEHMETI, LIBURN ALIU, SADIK ZEQIRI, FILIP PJETRI, HAQIF ILJAZI, XHEVAT HAZIRI, BEDRI KUKALAJ, SKENDER FERIZI, FRASHËR SHABANI, BESIM ZOGAJ, BILBIL DURAKU, AGIM HULAJ, RASIM SELMANAJ, BLERIM CAMAJ, UKË THAÇI, SELIM LOKAJ, AVDYL JETISHI, RIZA TAHIRUKAJ, HILË KQIRAJ, ENVER BERISHA, GJERGJ KARAQI, AGIM GASHI.
(Këtu do të kuptoni se çfarë bëri shteti serb me të burgosurit shqiptarë në burgun e Dubravës, në Kosovë, gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s më 1999. Do të mësoni se si Serbia fillimisht i hoqi të burgosurit shqiptarë nga Burgu i Dubravës më 1998 në emër të mungesës së sigurisë për jetën e të burgosurve dhe njëkohësisht, si u bë që po kjo Serbi, të njëjtit të burgosur, dhe shumë të tjerë nga burgjet e Serbisë dhe të Kosovës, i solli pikërisht në Burgun e Dubravës, për t’i përdorur si mburoja të gjalla, në këtë vend, ku Serbia e kishte përqendruar arsenalin kryesor ushtarak kundërajror. Do të mësoni gjithashtu se si Serbia provokoi NATO-n, duke gjuajtur me raketa kundërajrore të fshehura dhe të stacionuara rreth Burgut të Dubravës. Do të mësoni se si edhe përkundër kësaj, NATO nuk ra në provokim, duke bombarduar caqet serbe. Do të mësoni se si Serbia veprimet e saja u mundua të ja mvesh NATO-s, ku përmes ushtrisë, duke vrarë të burgosur shqiptarë të pafuqishëm, kur dihet se të gjithë të burgosurit kudo në botë, janë të mbrojtur me konventa ndërkombëtare. Do të mësoni se ky burg është përdorur edhe si qendër e keqtrajtimeve, dhunimeve, vrasjeve dhe masakrave nga njësitë ushtarake serbe gjatë kohës kur të burgosurit nuk kanë qenë në këtë burg. Do të mësoni se si u sollën të burgosurit, si u pushkatuan, si u provokuan, si u bënë likuidimet individuale, si u bënë kurthe, si u lirua Ukshin Hoti dhe disa të burgosur të tjerë në ditët e fundjavës, etj.. Këtu çdo gjë është origjinale, sepse çdo gjë flitet nga zemra dhe shpirti i njerëzve që e kanë mbijetuar këtë golgotë. Këtu nuk ka komente, këtu ka vetëm argumente).
PAMJE E PARË
Largimi i të burgosurve nga Kosova në vitin 1998
Burgjet në Kosovë, vazhdimisht ishin të mbushura me shqiptarë. Me rastin e fillimit të luftës në Kosovë, Serbia gjatë vitit 1998 i largoi shumë të burgosur, për t’i transferuar ata nëpër burgje të Serbisë, me arsyetimin se nuk kishte siguri tashmë në Kosovë për jetën e të burgosurve, kurse në fakt, qëllimi ishte që të liroheshin vendet nëpër burgjet e Kosovës, për shkak se Serbia vazhdimisht parashikonte burgosjen e të rinjve shqiptarë në njërën anë, dhe në anën tjetër, njerëzit që ishin larguar nga Kosova në burgjet serbe, duhej që të kishin një trajtim “profesional” në përvojën e shtetit serb.
ISTREF HASANI: Më: 1998 kur filloi të dalë në skenë UÇK-ja policia serbe u stacionua në burgun e Dubravës në pavijonin që quhej “i Hapur” dhe ishte jashtë mureve. Në atë kohë si arsyetim ishin shkaqet e sigurisë sipas serbëve. Pastaj ata erdhen shumë herët me na marrë, na lidhën, na futën në autobus dhe nuk e dinim ku po shkojmë. Kështu jemi transferuar në burgje të ndryshme të Serbisë, dikush në Nish dhe burgje tjera.
HAJREDIN HYSENI: Në burgun e Dubravës kam qëndruar afërsisht deri në fillimin e luftës në Kosovë, pra deri me ngjarjet e Prekazit, dhe pikërisht pas ngjarjeve të Prekazit, të burgosurit, vendosen të na largojnë. Kemi qenë 18 persona që na kanë larguar nga burgu i Dubravës, në drejtim të burgut të Nishit, ku nga ta, 10 veta na kanë ndalur në Nish, ndërsa 8 të tjerë i kanë dërguar në Mitrovicë të Sremit.
ENVER DUGOLLI: Pas fillimit të luftës në Kosovë, të burgosurit politik i grumbulluan dhe nuk na treguan ku po na dërgojnë. Disa janë dërguar në burgje të tjera, ndërsa unë me disa shokë në burgun e Mitrovicës se Sremit. Më vonë na është treguar një dokument nga ministria e Serbisë për arsyen e transferimit tonë nga Dubrava në Serbi dhe arsyeja sipas tyre ishte: “SIGURIA”!
NAIT HASANI: Më: 16 qershor 1998, më morën mua, Asllan Selimin, Isak Shabanin dhe shumë të tjerë dhe na transferuan në Mitrovicë të Sremit.
PAMJE E DYTË
Kthimi i të burgosurve në Kosovë
Sapo filluan bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë dhe pozicioneve serbe, shteti serb, ndërmori një akt të çuditshëm, atë të rikthimit të të burgosurve shqiptarë nga burgjet serbe në burgjet e Kosovës. Largimi u bë në prag të fillimit të luftës me arsyetimin e mungesës së sigurisë për të burgosurit, kurse tashmë kur lufta kishte filluar, madje edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare ndaj Serbisë, të burgosurit Serbia po i rikthente në mënyrë të organizuar.
NAIT HASANI: Gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s. Pra më: 26 Prill 1999 nga Mitrovica e Sremit na transferuan në Nish. Më: 29 Prill nga Nishi na transferuan në Dubravë me autobusë, realisht ne nuk e dinim se ku po na qojnë, por gjatë rrugës e kuptuam destinacionin.
HAJREDIN HYSENI: Deri më fillimin e bombardimeve të luftës, ne kemi qëndruar në Nish, pra një vit të plotë në Burgun e Nishit në pavijonin e izolimit, që quhej “Burgu i Bardhë”. Me fillimin e bombardimeve, neve na kanë kthyer të gjithëve në Burgun e Dubravës.
ISTREF HASANI: Gjatë kohës së bombardimeve, na transferuan në Dubravë, ndërsa të burgosurit ordinerë i transferuan dy muaj më herët.
ISMET MAHMUTI: Udhëtimi ishte i tmerrshëm. Na lidhën. Ishte vapë shumë e madhe. Gjatë rrugës na goditnin herë pas here gjatë udhëtimit kishim shumë etje, madje i shihja disa shokë që nga etja e qitnin gjuhën jashtë për t’iu mbushur me djersë, kështu mundoheshin ta shuanin etjen në një mënyrë.
XHELAL CANZIBA: Unë isha në autobusin e dytë. Duhej të mbanim kokën ulur.
Jemi rrahur gjatë tërë rrugës. Ishim të lidhur me pranga dhe zinxhirë. Në momentin kur NATO ka bombarduar, gardianët ikën nga autobusi.
BEDRI KUKALAJ: Gjatë rrugës në Kosovë, në Orllat jemi ndalur, sepse NATO bombardoi makinerinë serbe para neve që ishim me autobus, u vranë disa ushtarë. Kur hyn gardiani në autobus, u lidhë me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe po iu thotë që jemi shumë të rrezikuar dhe duhet të kthehemi, sepse jemi të sulmuar nga NATO dhe UÇK-ja. Ata i kthejnë përgjigjen, “ky është urdhër i presidentit dhe nuk guxoni m’u kthye mbrapa. Nëse është e nevojshme, të gjithë do të vdisni, por jo të ktheheni mbrapa”!
HAJREDIN HYSENI: Në vendin e quajtur Llozicë, aeroplanët kanë goditën një “Pizgauer” të militarëve. Në atë moment gardianët që ishin me ne në autobus, na lënë të lidhur për autobusi dhe ikën jashtë, më vonë, hynë disa pjesëtarë të forcave serbe dhe nuk e dinin a jemi serbë apo shqiptarë. Mirëpo, kur erdhën gardianët, tani ata e kuptuan që ishim shqiptarë dhe kërkuan që së paku 10 të burgosur të pushkatohen, sepse nga bombardimet u ishte vrarë një shok i tyre. Mirëpo, gardianët këmbëngulën që nuk guxoni, sepse ne jemi të obliguar me çmim të kokës, t’i dërgojmë në Burgun e Dubravës. Kemi urdhër nga Millosheviqi t’i dërgojmë gjithsesi në Dubravë. Pjesëtarët e forcave serbe, kërkuan që nëse nuk bën 10 të burgosur, patjetër duhet të paktën dy të burgosur t’i pushkatojmë dhe të marrim hakun për shokun tonë, por prapë ishte këmbëngulësia e gardianëve se ne kemi urdhër nga Millosheviqi t’i dërgojmë në Dubravë. Në fund, pjesëtarët e forcave serbe, edhe pse pranuan, prap hynë në autobus dhe me thika i lënduan disa të burgosur.
ISMET MAHMUTI: Kur e kuptuan që nuk mund të na bëjnë asgjë, atëherë bënë një kompromis me gardianët. Që të shfrynin mllefin e tyre hynë në autobus, i nxorën thikat dhe filluan të na ngacmonin. E mbaj mend. Një shokut tim ia gërryenin mollëzën e faqes me thikë. Njëri nga ushtarët kishte cigaren e ndezur dhe unë pasi jam me flokë të rame, iu duka simpatik, dhe ma fiku cigaren në kokën time.
NIJAZI KRYEZIU: Duhet ta përmend rastin e Filip Pjetrit, i burgosur nga Klina. Ai ka qenë në ulësen e parë është futur një pjesëtar i forave serbe dhe e ka prerë Filipin në fyt mbi sipërfaqe të lëkurës.
FILIP PJETRI: Pasi u ndalen fluturimet, hyri një pjesëtar i forcave serbe në autobus dhe më kapi për flokë. Ma ngriti kokën lart dhe me thikë më ka prerë në qafë, por ndërkohë ka hyrë mbikëqyrësi i autobusit dhe i tha që me çdo çmim më duhet t’i dërgojë në Dubravë të gjallë, sepse kam urdhër nga lartë. Pastaj kemi vazhduar në Lipjan ku të nesërmen me autobus na dërguan në Dubravë. Kur kemi hipur në autobus, ka ardhur shoferi i drejtorit të burgut të Lipjanit (i quajtur Radomir Kostiq nga fshati Kosh komuna e Istogut, me njihte mua mirë dhe unë, gjithashtu e njihja, sepse kisha punuar me vëllezërit e tij), dhe po i thotë shoferit të autobusit: “Ku po i dërgon këto kafshë” – “Gde vodish ovu stoku” dhe shoferi iu përgjigj që këta janë “mish për grep”.
PAMJA E TRETË
Arritja në burgun e Dubravës
(Të burgosurit e kishin kuptuar se diçka e keqe ishte përgatitur në kurriz të tyre. Të gjithë e dinin se hyrja në çdo burg të ri, shpeshherë shoqërohej me “mikpritje” të veçantë, apo speciale, duke i pritur kordoni i policisë e i gardianëve nëpër të cilën duhej të kalonin të burgosurit duke u rrahur).
BISLIM ZOGAJ: Në burgun e Dubravës, na vendosen në pavijonin “B”, në katin përdhesë ku kemi qëndruar deri në kohën kur është bombarduar burgu i Dubravës më: 19 maj. Gjatë asaj kohe kushtet kanë qenë shumë të vështira si për ushqim, ashtu edhe për higjienë.
NAIM LUSHI: Më: 3 Maj, së bashku me shumë të burgosur nga spitali i Pejës na transferuan në Dubravë. Me të hyrë në Dubravë ishte formuar një tunel nga gardianët që do të duhej të kalonim nën ta me të rrahura të pa imagjinuara.
SALI ZARIQI: Në momentin që zbritëm nga autobusi, parmë gardianët dhe ushtarët. Na vendosen në pavijonin “A”. Aty kishte të burgosur serbë të cilët të nesërmen i larguan nga ai pavijon.
NIJAZI KRYEZIU: Kur jemi futur në burg prej 29 prillit, çdo ditë kanë sjellë grupe të reja nga burgu i qarkut të Prizrenit, Pejës, Prishtinës. Kanë sjellë qytetar nga vise të ndryshme.
BESIM ZYMBERI: Më: 30 prill 1999, jam transferuar nga Gjilani në Dubravë shim 35 të burgosur. Në Dubravë hyrja ishte me torturë ku duhej të hynim përmes një kordoni të gardianëve duhej të bartnim ndonjë të burgosur, pasi alivanosej nga të rrahurat.
NAIT HASANI: Kur kemi hyrë në Dubravë, te hyrja kryesore pamë disa tanke, gardianë me automatikë dhe policë të uniformuar.
NASER SHPORTA: Para se të ndodhnin bombardimet, kam parë forca serbe, istikame.
BAJRUSH XHEMAJLI: Rreth burgut ka pasur shumë ushtarë, policë dhe faktikisht ata janë ushqyer aty, sepse në kuzhinë ishin afër 100 lopë të preme, të freskëta në frigoriferë.
ISTREF HASANI: Unë punoja në kuzhinë, konkretisht në furrë, ku mbikëqyrja ishte shumë e madhe dhe përgatitnim shumë bukë, pra edhe për ushtrinë e tyre.
NIJAZI KRYEZIU: Në çdo dhomë ka pasur gjurmë, në dhomën ku kam qenë unë ka pasur brusha për pastrimin e armëve…, ka pasur aparatura që përdoren si radiolidhje, etj..
AVNI KLINAKU: Kur kemi shkuar në burgun e Dubravës, në bazë të të gjitha shenjave që i kemi gjetur, kemi gjetur edhe gjurmë të masakrave të njerëzve, po ashtu edhe të gjinisë femërore.
ISTREF HASANI: Pamë mbeturina nëpër dhoma, shkrime të ndryshme, kemi gjetur edhe veshje të brendshme të femrave, gjak që kuptohej që kanë bërë masakra të ndryshme. Por gjithashtu kemi parë edhe makineri ushtarake dhe ushtri.
AVDI MEHMETI: Nuk kanë vlejtur më rregullat e burgut, jemi torturuar të gjithë, në kushte shtazarake të them.
LIBURN ALIU: Para 19 majit, kanë hyrë me maska dhe e kanë marrë Avdi Mehmetin dhe Avni Klinakun dhe i kanë rrahur mu në mes të natës.
AVDI MEHMETI: Unë e kam përjetuar vetë ketë gjë, aty kanë qenë disa dyshekë të vjetër nëpër korridor, mua më ka nxjerrë një gardian që e kam njohur dhe më tha: “Republikën e keni fituar, por nuk do ta gëzoni”. Pas atyre fjalëve filloi përdorimi i forcës me mjete të ndryshme. Kanë qenë 10 persona, jam alivanos dhe më kanë kthyer në dhomë.
Pas disa ditësh u përdorë dhunë e njëjtë ndaj Avniut po me efekte të ndriçimit dhe zërit që kishin instaluar, përmes mikrofonave.
Jo, nuk ka pas të bëj me zërin e njeriut, por me klithma si disa zogjë në xhungël me ndërprerje, kanë qenë ato klithma kur janë torturuar të burgosurit.
SADIK ZEQIRI: Gardianët i kemi quajtur me emra të ndryshëm si, p.sh. njërin e quanim “Sakica”, një tjetër “Çizmja”, etj.. “Sakica” e quanim, sepse kur vinte ai, veç e largonte sakicën dhe fillonte t’i rrihte të burgosurit me radhë, ndërsa gardianin e quajtur “Çizmja”, e thërrisnim ashtu, sepse kur ai hynte në pavijon, i dëgjohej zhurma e këpucëve dhe ardhja e tij ishte tmerr për të burgosurit. Ai fillonte nga kati i parë dhe deri në dhomën e fundit, duke i rrahur të burgosurit, unë isha në dhomën Nr. 35 dhe e fundit ishte dhoma Nr. 36.
Vazhdon…