Macron emëron Kryeministrin e ri të Francës
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka emëruar ministrin në largim të Mbrojtjes, Sébastien Lecornu, si kryeministër, duke i dhënë atij detyrën sfiduese për të ndërtuar konsensus në një parlament të përçarë dhe për të kaluar buxhetin e vitit 2026, raporton CNN, përcjell Reporteri.net.
Më herët të hënën, kryeministri në largim, François Bayrou, dorëzoi dorëheqjen e tij, të cilën Macron e pranoi. Ai u detyrua të largohej pas vetëm nëntë muajsh në detyrë, pasi dështoi të realizonte një nga premtimet kryesore: kalimin e një plani jopopullor për të frenuar deficitin në rritje të Francës.
Parlamenti i Francës e rrëzoi Qeverinë e Bayrou, pasi humbi mocionin e votëbesimit që ai thirri më 8 shtator.
Gjatë votimit në Asamblenë Kombëtare, 364 deputetë votuan për rrëzimin e Qeverisë, ndërkaq 194 ishin kundër.
Para votimit të mosbesimit, Bayrou paralajmëroi deputetët se rrëzimi i tij nuk do ta zgjidhte problemin.
“Ju keni fuqinë të rrëzoni qeverinë, por nuk keni fuqinë të fshini realitetin,” tha ai.
“Realiteti do të mbetet i pamëshirshëm: shpenzimet do të vazhdojnë të rriten, dhe barra e borxhit, tashmë e papërballueshme, do të bëhet edhe më e rëndë dhe më e kushtueshme.”
Lecornu tani përballet me sfidën e dyfishtë: të nxjerrë Francën nga kriza financiare dhe njëkohësisht të udhëheqë një qeveri që përgatitet për protesta masive. Protesta në shkallë kombëtare dhe bllokime të autostradave janë planifikuar për të mërkurën, të ndjekura nga një grevë më e gjerë e udhëhequr nga sindikatat më 18 shtator.
Presidenca franceze tha se Macron i ka ngarkuar Lecornu-n “të konsultohet me forcat politike të përfaqësuara në Parlament, me qëllim miratimin e buxhetit kombëtar dhe ndërtimin e marrëveshjeve thelbësore për vendimet që do të merren në muajt në vijim.”



