Macroni: Fitorja e Magyarit shënon fillimin e një epoke të re në Hungari
Presidenti francez, Emmanuel Macron, vlerësoi sot fillimin e një “epoke të re” për Hungarinë dhe Evropën, gjatë pritjes në Pallatin Elysse të kryeministrit të ri hungarez, Peter Magyar.
Macron theksoi se zgjedhja e Magyar-it dëshmon përkushtimin e qytetarëve hungarezë ndaj vlerave të Bashkimit Evropian.
Magyar fitoi zgjedhjet parlamentare të prillit ndaj nacionalistit pro-rus, Viktor Orban, i cili kishte bllokuar disa vendime të rëndësishme të BE-së, përfshirë mbështetjen për Ukrainën.
Kryeministri hungarez propozoi forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Francës, Gjermanisë dhe vendeve të Grupit të Vishegradit (Polonia, Hungaria, Sllovakia dhe Çekia), duke kërkuar një rol më aktiv të Parisit dhe Berlinit në këtë format.
Dy liderët shprehën gjithashtu synimin për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të nënshkruar një partneritet të ri strategjik deri në fund të vitit, me fokus në mbrojtje, energji bërthamore, industri, bujqësi dhe luftën kundër dezinformimit.
Magyar u zotua të forcojë shtetin e së drejtës dhe të intensifikojë luftën kundër korrupsionit.
Më herët, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi zhbllokimin e fondeve për Hungarinë në vlerë prej më shumë se 16 miliardë eurosh, të kushtëzuara me zbatimin e reformave.



