Macroni: Nëse dëshiron ta fitojë Nobelin për paqe, Trumpi duhet ta ndalë luftën në Gazë

24 shtator 2025 | 08:31

Nëse presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dëshiron vërtet ta fitojë Çmimin Nobel për Paqe, atëherë ai duhet ta ndalë luftën në Rripin e Gazës, tha të martën mbrëma presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Duke folur për televizionin francez BFM TV nga Nju Jorku, Macroni tha se vetëm Trumpi e ka fuqinë për të ushtruar trysni ndaj Izraelit për t’i dhënë fund luftës.

“Nëse ka dikush që mund të bëjë diçka për këtë, atëherë ai është presidenti i SHBA-së”, tha Macron.

“Dhe, arsyeja pse ai mund të bëjë më shumë se ne, është sepse ne nuk furnizojmë armë që e bëjnë të mundur zhvillimin e luftës në Gazë. Ne nuk furnizojmë pajisje që e bëjnë të mundur luftën në Gazë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës po”, shtoi ai.

Trump mbajti një fjalim të gjatë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të martën, ku i hodhi poshtë përpjekjet e aleatëve perëndimorë për ta mbështetur krijimin e një shteti palestinez, duke thënë se një gjë e tillë do të ishte shpërblim për militantët e Hamasit.

Hamasi është grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

“Ne duhet ta ndalim menjëherë luftën në Gazë. Duhet të zhvillojmë bisedime për paqe pa vonesa”, tha Trump.

Duke folur fjalimin e Trumpit, Macron tha: “Shoh një president amerikan të angazhuar, që përsëriti këtë mëngjes nga podiumi: ‘Unë dua paqe. Kam zgjidhur shtatë konflikte’, një president që dëshiron Çmimin Nobel për Paqe. Ky çmim është i mundur vetëm nëse e ndal këtë konflikt”.

Vende si Kamboxhia, Izraeli dhe Pakistani janë në mesin e atyre që e kanë nominuar Trumpin për këtë çmim vjetor, për shkak të marrëveshjeve për paqes ose armëpushimeve që ka ndërmjetësuar.

Trump ka thënë se e meriton këtë çmim, të cilin e kanë fituar katër paraardhës të tij në Shtëpinë e Bardhë.

“Presidenti Trump ka bërë më shumë për paqen se të gjithë të pranishmit në Kombet e Bashkuara së bashku”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly.

“Vetëm ky president ka mundur të arrijë kaq shumë për stabilitetin global, sepse ai në mënyrë efektive e ka bërë Amerikën Sërish të Fortë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të paktën 14 persona kanë humbur jetën në një zonë…