Magjia e poezisë së shpirtit

09 shtator 2025 | 14:34

XHAHID BUSHATI

Recension për librin poetik “Rritesh për një puthje” të autorit Avdush Canaj

Avdush Canaj, jo vetëm është një poet i talentuar, por spikatja e tij është më se e dritshme nga njëri vëllim poetik në tjetrin. Dhe kështu po ndodh edhe me librin e ri në dorëshkrim, që titullohet “Rritesh për një puthje”, kushtuar me dashuri, nipit të tij, Juanit.

Avdush Canaj ka mbetur pothuajse besnik i poezisë shqipe për fëmijë. Me krijimet e tij të vyera radhitet përkrah poetëve të shquar, si: Agim Deva, Rifat Kukaj, Gani Xhafolli, Xhevat Syla, Odhise K. Grillo, Xhevat Beqaraj, Adelina R. Mamaqi, Xhevahir Spahiu… etj. Duke ruajtur individualitetin artistik, e, njëkohësisht duke e pasuruar atë, kësaj radhe vjen me një model te ri konceptimi, këndvështrimi, strukturimi dhe kuvendimi me nipin e tij të dashur e të shtrenjtë, duke i dhënë hapësirë: dashurisë së gjyshit, loçkës së zemrës, duke i atribuar vogëlushit në rritje vitesh e moshe, një figuracion të pasur, plot dritë e ëndërrime, si: zambak, flutur, doçkë, puthje, pranverë, blerim, zog-zogj, mall, yll, hënë, diell, dritë, buzëqeshje, gugurimë, çerdhe, dritare… etj. etj. Mendoj, që poezia për fëmijë, në këtë stad zhvillimi që është, ka nevojë për një tipologji poezie të tillë, ku janë të pranishme, drita e mirësisë, ngjyrat e dashurisë, malli i pritjes, si dhe shumë virtyte, të cilat përmes metaforave, simbolikave, njerëzores e paqësores, shpirtërores e zemrës, autori me talentin e tij ua përcjellë fëmijëve me ngrohtësi dhe ua mëkon përmes fjalëve të pasura shqipe vlera sa dobiprurëse aq dhe edukative.

Duke lexuar me vëmendje poezitë e këtij libri me një titull, ku shkëlqen një metaforë e bukur, kuptimplote e me një dimension dashurie; do të ndalem në disa tipare te poetit Canaj, që e bëjnë të dallueshëm dhe të dinjitetshëm përmes poetikës së tij në arritjet artistike duke i dhënë  poezisë shqipe për fëmijë kualitete të reja.

Tipari i parë, është:

Rrëfimi dhe komunikimi.

Poeti Avdush Canaj, është nga ajo tipologji poetësh të talentuar, me theks, veçanërisht në këtë vëllim poetik, këto dy komponentë: Rrëfimi dhe Komunikimi, janë parësore. Shfaqen përmes një fjalori shumëngjyrësh, të thjeshtë por të mbarsura me një botë të gjerë prindërore e gjyshore. Çdo fjalë është një figurë, çdo varg është një shprehësi ku gjallon “kopshti i dashurisë”, çdo strofë rrezaton hijshëm dhe magjishëm. Kjo magji shfaqet e përplotësuar nga njëra poezi në tjetrën, ku të gjitha së bashku plotësojnë portretin e personazhit kryesor në rritje, ku poeti-gjysh e ka vrojtuar deri në detaje. Ky rrëfim mahnitës dhe komunikim vlerash mbetet një model për të gjithë prindërit sesi duhet të komunikojnë me fëmijët e tyre dhe të ndjekin mirërritjen e tyre.

Tipari i dytë:

Bota e prindërve, bota e gjyshit, bota fëminore.

Janë një ndërthurje e harmonishme. Vetëm një poet i talentuar si Avdush Canaj mund t’i harmonizojnë këto tri botë. Ato ruajnë veçantitë e tyre por njëkohësisht shkrihen në një të vetme, ku dimensioni shpirtëror rrezaton dashuri pafund. Gjithashtu, një model tjetër, ku gjyshi në rastin tonë fatlum është shkrimtar, përmes bashkëkohësisë bën “jetëshkrimin” e nipit, duke e respektuar përmes vargjeve me cilësi artistike, por edhe përmes ‘të puthura’, porosive dhe mallit që buron nga shpirti dhe nuk fle kurrë për nipin. E tillë është dashuria e gjyshit! Më e madhe se e planetit! Vetë libri është një planet më vete, ku njerëzorja shëtit njerëzishëm!

Tipari i tretë:

“Shpirtëzimi” i zemrës së gjyshit për nipin.

Dua ta ilustroj përmes epiteteve, metaforave… etj. që njëkohësisht janë dhe shenja përjetësie të bashkëbisedimit dhe vlerave njerëzore; ku udhëtimi mes gjyshit dhe nipit i takon një mrekullie që vetëm arti di ta bëjë.

– Zemra ime…; – Një zemër pres…; Çdo gjë bëj për ty…; Ditëlindjen kur ta kesh…; etj. etj. Dhe në fund: “Dora e tij e vogël / të më përkëdhel dua”. Mjafton ky varg si një amanet mrekullidhënës flet për vlera jete, ëndrra jete dhe vazhdimësi jete.

Libri “Rritesh për një puthje” na “puth” të gjithëve: të mëdhenj e të vegjël, gjyshër e gjyshe, prindër, motra dhe vëllezër, miq e dashamirë. Na mëson se ç’është dashuria dhe sa vlerë njerëzore ka ajo.

Libri “Rritesh për një puthje” i Avdush Canaj është jo vetëm një arritje e re e krijimtarisë së tij, por edhe e poetikës shqipe. Një libër që është i domosdoshëm ta kemi pranë e ta lexojmë vazhdimisht për dritën magjike që na dhuron Avdush Canaj.

Shkodër, më 26.11.2024

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë kryeqytetit i janë…