Ai në intervistën e dhënë në “RTK Prime” ka thënë se në romanin e tij të sapo publikuar “Eskadronët e vdekjes” e dëshmon qartazi nëpërmjet dëshmitarëve të mbijetuar të kësaj masakre se ishte ushtria dhe policia serbe që kreu gjenocidin në Dubravë.

“Si një nga personazhet shqiptar të romanit dhe jo i vetmi është Sadik Zeqiri, i cili para luftës ka qenë gazetar dhe sot është redaktor i Epokës së Re, e që ka qenë njëri nga ata pjesëmarrës aktiv të asaj tragjedie që ka ndodhur në Dubravë. Po ashtu aty janë rrëfimet e disa dëshmitarëve të tjerë që fatmirësisht kanë shpëtuar nga ai akt gjenocidal që ka masakruar njerëzit e burgosur të paarmatosur. Për dallim nga propaganda serbe se gjoja më 19 maj 1999 NATO godet burgun e Dubravës dhe se aty vriten dhe plagosen të burgosur shqiptar, unë nëpërmjet këtij romani me prova të pakontestueshme kam dëshmuar se NATO nuk e ka sulmuar burgun e Dubravës, përkundrazi janë sulmuar objektet shoqëruese jashtë burgut të Dubravës, ku kanë qenë të përqendruara forcat ushtarake dhe policore serbe”, ka theksuar Mahmuti në RTK.

Ai ka thënë se për këtë si dëshmi janë edhe video incizimet, ku Pentagoni me video konkrete dëshmon qartë se si raketat me laser godasin dy objekte jashtë mureve të burgut.

Ai ka sqaruar se gjithçka rreth masakrës në burgun e Dubravës ka qenë e orkestruar nga forcat serbe. “Në atë moment kur aviacioni jugosllav godiste civilët shqiptarë, konkretisht edhe burgun e Dubravës, duke filluar nga data 19 maj, në Beograd, presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në atë kohë mbante konferencë për media dhe fajësonte NATO-n për bombardimin e burgut të Dubravës. E krahas propagandës përmes konferencave të shtypit ishte përgatit edhe ekipi i gazetarëve që në atë moment kur ka sulmuar aviacioni ushtarak jugosllav,  të depërtojë brenda të burgosurve dhe t’i intervistojnë ata dhe t’iu thotë shikoni se çfarë ju bëri NATO”, ka shtuar Mahmuti.

Kjo sipas tij është bërë për t’u krijuar një perceptim i gabuar te dëshmitarët kinse ishte NATO ajo që po e sulmonte burgun e Dubravës.