Makina futet në turmë në Leipzig, dy viktima dhe disa të plagosur
Një ngjarje e rëndë është shënuar në qytetin gjerman Leipzig, ku një automjet është futur me shpejtësi në një zonë për këmbësorë, duke përplasur një grup qytetarësh.
Sipas autoriteteve lokale, dy persona kanë humbur jetën në vendngjarje, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të plagosur, mes tyre të paktën dy në gjendje të rëndë. Të lënduarit janë transportuar menjëherë në spital nga shërbimet e emergjencës.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën Grimmaische Strasse, një zonë e frekuentuar pranë qendrës së qytetit. Sipas dëshmitarëve dhe raportimeve të mediave gjermane, automjeti tip SUV ka hyrë me shpejtësi në hapësirën e dedikuar për këmbësorët përpara se të shkaktonte përplasjen.
Policia ka bërë të mundur ndalimin e shoferit pak pas incidentit, pasi ai tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes. Ai ndodhet në arrest dhe po hetohet për rrethanat e përfshirjes në këtë ngjarje.
Autoritetet kanë deklaruar se situata është vënë nën kontroll dhe se nuk ka më rrezik për qytetarët, ndërkohë që hetimet vijojnë për të zbardhur shkaqet dhe dinamikën e plotë të aksidentit.



