Mali i Zi hedh poshtë akuzat e Vuçiqit se zhvillon luftë hibride kundër Serbisë

15 qershor 2026 | 13:47

Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi i ka përshkruar si të pabazuara akuzat se Podgorica është duke zhvilluar luftë hibride kundër Serbisë, duke vlerësuar se deklaratat e tilla pasqyrojnë mungesën e gatishmërisë së një pjese të strukturave politike në Beograd për ta pranuar Malin e Zi si shtet sovran.

Reagimi ka ardhur pas pretendimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se Mali i Zi dhe mediat e tij marrin pjesë në veprime hibride kundër Serbisë.

Përmes një deklarate të postuar në platformën “X”, ministria malazeze ka vlerësuar se deklaratat e shpeshta nga shteti fqinj dëshmojnë mungesën e gatishmërisë së një pjese të strukturave politike për ta pranuar Malin e Zi si një shtet sovran dhe të barabartë, e jo si një hapësirë që duhet t’u rikthehet qendrave të imagjinuara politike.

Ajo ka shtuar se deklaratat e tilla, zakonisht, intensifikohen sa herë që Mali i Zi bën hapa para në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe kur afrohen zgjedhjet. “Ia lëmë publikut të vlerësojë nëse deklaratat e tilla duhen parë si hyrje në fushata të reja dezinformimi dhe presionesh politike, apo si përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga problemet që nuk kanë asnjë lidhje me Malin e Zi”, është thënë në deklaratë.

Ministria malazeze ka rikujtuar se vendimi për rikthimin e pavarësisë së Malit të Zi është përfundimtar, demokratik dhe i verifikuar ndërkombëtarisht në referendum, dhe ka shtuar se Mali i Zi dëshiron marrëdhëniet më të mira të mundshme me të gjithë fqinjët, përfshirë Serbinë.

Megjithatë, Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi, ka theksuar se marrëdhëniet e tilla mund të ndërtohen vetëm mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe pranimit të realitetit, duke i hedhur poshtë pretendimet se Mali i Zi i ka marrë territor kujtdo.

Ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, ka thënë se reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi përbën “konfirmim të natyrës hibride të veprimit të qarqeve të caktuara në Mal të Zi ndaj jetës politike në Serbi”.

Ministria serbe ka thënë se akuzat e ashpra publike dhe përpjekjet për ta heshtur palën tjetër paraqesin një tentativë për ndikim të papërshtatshëm ndaj Serbisë, duke shtuar se për marrëdhëniet mes dy shteteve do të ishte shumë më e dobishme që të gjitha çështjet e hapura të zgjidhen përmes dialogut institucional dhe kanaleve diplomatike. “Serbia nuk ka asnjë pretendim ndaj Malit të Zi dhe nuk e vë në dyshim shtetësinë e tij, por përfaqësuesit e saj kanë të drejtë të vënë në dukje dukuritë që cenojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe krijimin e vazhdueshëm të një atmosfere në të cilën Serbia paraqitet si problem dhe si justifikim për dështimet e brendshme politike”, është thënë në deklaratë.

Beogradi zyrtar ka bërë thirrje për punë të përbashkët mbi çështje me interes për qytetarët, si: bashkëpunimi ekonomik, lidhjet infrastrukturore dhe forcimi i besimit të ndërsjellë.

Është theksuar, po ashtu, se Serbia do të vazhdojë të ndjekë politika të përgjegjshme ndaj Podgoricës, por se pret të njëjtin nivel respekti dhe vlerësimi edhe nga pala tjetër.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar për televizionin “Prva” të Serbisë se “mediet në Mal të Zi kanë pasur një rol të rëndësishëm në revolucionin me ngjyra në Serbi, ndërsa Mali i Zi zhvillon një luftë hibride kundër Serbisë”.

I pyetur se si e sheh sot situatën në Mal të Zi, Vuçii ka thënë se kjo është “çështje e tyre (malazeze)”, por ka shtruar se “e vetmja gjë për të cilën mund të flasë, është marrëdhënia e Malit të Zi me Serbinë”. “Kjo është një luftë e vërtetë hibride. Meqë ata flasin për luftë hibride, ata po zhvillojnë luftë hibride kundër Serbisë dhe të gjithë marrin pjesë në të, ose bëjnë sikur nuk e shohin që marrin pjesë”, ka thënë Vuçiqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani E nderuara Kryesuese e Kuvendit të Komunës së…