
Mali i Zi kontakton autoritetet e Kosovës për të arrestuarin në Gazimestan
Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi ka thënë se Ambasada në Kosovë ka kontaktuar me autoritetet dhe ka ndërmarrë veprime në drejtim të mbrojtjes së qytetarit malazes, i arrestuar më 28 qershor në Gazimestan.
Në Gazimestan, që gjendet rreth 15 kilometra larg Prishtinës rreth 1,000 serbë nga Kosova, Serbia dhe vende të tjera të rajonit, u mblodhën për të shënuar Vidovdanin.
Më herët, policia e Kosovës njoftoi se gjatë festimit të Vidovdanit në Gazimestan, një person, shtetas i Malit të Zi, u ndalua nën dyshimin se kishte kryer krimin e shkaktimit të përçarjes dhe intolerancës dhe se të njëjtit, pas intervistimit, i është caktuar masa e ndalimit policorë për 48 orë.
“Të gjitha veprimet që lidhen me personin në fjalë do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin”, thuhet në njoftimin e policisë.
Fronti Demokratik, partia pro-serbe që udhëheq me qeverinë në Mal të Zi i kërkoi qeverisë malazeze të kërkojë lirimin e menjëhershëm të Risto Jovanoviqit.
Shënimi i Vidovdanit filloi të hënën në mëngjes me një liturgji në Manastirin e Graçanicës, të cilin e udhëhoqi patriarku serb, Porfirije.
Pas kësaj, u mbajt edhe një shërbim përkujtimor në Gazimestan, për të kujtuar viktimat e betejës në Kosovë.
Kjo është hera e parë që patriarku Porfirije udhëhoqi shërbimin përkujtimor në Gazimestan, që kur ai u zgjodh në postin e kreut të Kishës Ortodokse Serbe. /Rel