Mali i Zi rivendos regjimin pa viza për shtetasit e Turqisë
Mali i Zi ka rivendosur regjimin pa viza për shtetasit e Turqisë, duke shkurtuar lejen e qëndrimit nga 90 në 30 ditë, ka njoftuar të martën qeveria malazeze.
Qeveria e ka marrë vendimin pa mbajtur seancë, duke marrë pëlqimin e shumicës së ministrave dhe miratuar ndryshimet në Rregulloren e regjimit të vizave, të cilat hoqën pezullimin e përkohshëm të hyrjes pa viza për shtetasit turq, thuhet në faqen e internetit të Qeverisë së Malit të Zi.
Kufizimi i kohëzgjatjes së qëndrimit, siç ka deklaruar qeveria malazeze është prezantuar si një masë për të parandaluar migrimin e paligjshëm dhe për t’u përafruar me politikën e vizave të Bashkimit Evropian (BE).
Në deklaratën e qeverisë është thënë se bashkëpunimi me autoritetet turke është përmirësuar ndërkohë, me kontrolle të shtuara të sigurisë dhe migracionit. Gjithashtu u theksua se Mali i Zi e ruan mundësinë e rivendosjes së regjimit të vizave nëse vlerësohet se ka rreziqe sigurie.
Regjimi i vizave për shtetasit e Turqisë u vendos pas një incidenti në Podgoricë për të cilin fillimisht janë akuzuar shtetas turq, të cilët më vonë kanë rezultuar se nuk kishin qenë të pranishëm në vendin e sulmit me thikë. /AA



