
Maliqi: Kurti po thotë “s’mi dhatë çelësat e shtëpisë me sundu vetë, unë ua kalli shtëpinë”
Analisti Agon Maliqi ka reaguar për qëndrimet e fundit të Vetëvendosjes, duke thënë se partia e Kurtit po kthehet në origjinë dhe po tregon hapur agjendën e saj politike.
“VV me gjasë po rikthehet në origjinë dhe ky kushtimisht nuk është edhe zhvillim aq i keq, sepse është demaskim. Tash po tregojnë hapur se në fakt po punojnë për Republikën e Tretë, se janë kundër modelit të sotshëm kushtetues dhe se po mundohen ta shembin këtë model të shtetit nga brenda”, ka shkruar Maliqi.
Ai shtoi se kjo qasje është reflektim i një pjese të shoqërisë që kurrë nuk u pajtua me kompromisin e vitit 2008, por se problemi mbetet mungesa e një rruge për njohje ndërkombëtare të Kosovës nëse shkatërrohet modeli aktual.
“Me fjalë të tjera Kurti po thotë: ‘tash që s’mi dhatë çelësat e shtëpisë me sundu vetë, unë ua kalli shtëpinë’”, tha Maliqi.
Sipas tij, kjo agjendë politike për Kosovën sjell dilema të njëjta si në vitin 2008, duke mos ofruar rrugëdalje konkrete, ndërsa alternativa e vetme e modelit të Ahtisaarit – shteti etnik përmes korrigjimit të kufijve – tashmë është hedhur poshtë.
Maliqi ka kritikuar edhe një segment tjetër të shoqërisë, të cilin e quan “Metropolitankat” dhe “guxoistët”, duke i cilësuar si më qesharakët në këtë debat. Ai thotë se ata nuk ofrojnë alternativë pozitive, por vetëm refuzim, dhe mbeten tërhequr pas Kurtit pa një bosht të qartë politik.
“Për këtë arsye Metropolitanka ka mbetur kështu si qyqe e tërhequr zvarrë prej Kurtit në çfarëso drejtimi që ai e merr me vete. E Kurtit hallall i qoftë që po e nxjerr sheshit klasën e mesme të ish-Jugosllavisë si kamp politik pa bosht – si thjesht një tufë e energjisë negative – derisa t’i hedh në kosh të plehrave në momentin më të përshtatshëm, siç e ka hedhur këdo për të cilin më nuk ka pasur nevojë”, përfundoi shkrimin Maliqi.