Maliqi: Opozita ta mbështesë dialogun

30 korrik 14:10

Njohësi i proceseve politike në vend, Shkëlzen Maliqi, ka thënë se nëse gjithçka do të zhvillohet sipas parashikimeve optimiste, Kosova nga procesi i dialogut do të sigurojë njohje të pavarësisë nga Serbia dhe ulësen në OKB.

Megjithatë, në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se nëse palët nuk arrijnë marrëveshje, do të krijohet një konflikt objektivisht i ngrirë deri te një krizë e madhe evropiane ose botërore.

“Finalen e dialogut e kërkojnë faktorët ndërkombëtarë, kurse Kosova dhe Serbia sikur nuk janë entuziaste. Liderët në Prishtinë dhe Beograd kanë frikë se duke u detyruar të bëjnë kompromise, e ato si duket janë të pashmangshme, do të rrezikohet pushteti i tyre. Nga ana tjetër, marrëveshja politike finale ndikon jo në mobilizim, por në polarizimet e brendshme. Opozita edhe në Prishtinë edhe në Beograd paralajmëron se procesi do të përfundojë me humbje”, është shprehur Maliqi.

Ai ka thënë se përfshirja e Luginës së Preshevës në dialog mund të jetë kushtëzim i Kosovës që t’i zvogëlojë ambiciet e Serbisë rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Në këtë kontekst, Maliqi ka theksuar se Beogradi nuk mund të kërkojë autonomi për Asociacionin nëse nuk u jep shqiptarëve të Luginës të drejta dhe status të njëjtë. Madje, sipas tij, Kosova është dashur më herët ta ketë këtë kushtëzim në bisedat me Serbinë.

Maliqi ka vlerësuar se partitë opozitare në vend se të ndërmarrin masa obstruktive kundër finales së dialogut që nuk çojnë askund, duhet ta mbështesin këtë proces. Sipas tij, LDK-ja do të bënte mirë nëse do ta ndihmonte dialogun duke u dëshmuar si parti institucionaliste. Maliqi ka thënë se edhe PSD-ja do të mund të faktorizohej edhe më nëse do të hynte në ekipin e dialogut por, sipas tij, ata janë ende peng të retorikës së trashëguar nga të qenit pjesë e LV-së.

“Epoka e re”: Z. Maliqi, meqë dialogu me Serbinë ka hyrë në fazën finale, janë shtuar edhe përpjekjet për arritjen e konsensusit politik për këtë proces. Por, duke pasur parasysh klimën politike, sa ka gjasa që opozita (të paktën LDK-ja) të ndryshojë qëndrim dhe ta përkrahë finalen e dialogut?
Maliqi: Finalen e dialogut e kërkojnë faktorët ndërkombëtarë, kurse Kosova dhe Serbia sikur nuk janë entuziaste. Liderët në Prishtinë dhe Beograd kanë frikë se duke u detyruar të bëjnë kompromise, e ato si duket janë të pashmangshme, do të rrezikohet pushteti i tyre. Nga ana tjetër, marrëveshja politike finale ndikon jo në mobilizim, por në polarizimet e brendshme. Opozita edhe në Prishtinë edhe në Beograd paralajmëron se procesi do të përfundojë me humbje. Ne sigurisht nuk brengosemi për përçarjet dhe përçartjet serbe, atyre zakonisht nuk u ka pëlqyer asnjë kompromis rreth Kosovës, as marrëveshja e Rambujes, as Plani i Ahtisarit dhe nuk do t’u pëlqejë as marrëveshja finale. Kurse Kosova deri më tash gjithnjë ka qenë më e mobilizuar me ekipe të unitetit përkrah vendeve perëndimore edhe kur ato propozonin zgjidhje “joperfekte”, por që avanconin statusin e Kosovës. Tani për herë të parë sikur jemi të përçarë dhe të pavendosur, larg jo vetëm nga konsensusi, por ndoshta edhe nga shumica e thjeshtë. Opozita aktuale e përbërë nga LDK-ja dhe LV-ja po ndërmerr masa obstruktive kundër finales së dialogut që s’çojnë askund. Janë disa nisma që po shtrohen vonë, si ajo që dialogun duhet ta udhëheqë Kuvendi e jo presidenti Thaçi, ose kërkojnë rrëzimin e Qeverisë dhe organizmin e zgjedhjeve që, mbase, do ta shpenzonte tërë kohën që është paramenduar për arritjen e marrëveshjes përfundimtare. A është qëllimi që të humbet koha dhe marrëveshja të shtyhet deri pas vitit 2020? Nga ana tjetër, unë nuk po shoh se LDK-ja dhe LV-ja kanë përputhje strategjike rreth marrëveshjes me Serbinë. Për LV-në e dimë se gjithnjë ka qenë kundër dhe e dëshiron dështimin e dialogut, kurse LDK-ja deri vonë ka qenë pjesë e tij dhe nuk besoj se është për dështimin e tij. Mbase edhe do t’i kthehet tryezës së finales nëse siguron status joinferior. Për shembull, që ta ketë rolin e bashkëkryetarit të dialogut.

“Epoka e re”: Këto ditë është përfolur shumë në media dhe në opinion mundësia e ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimi i territoreve. Parashihni rrezik për një gjë të tillë?
Maliqi: Ky opsion gjithnjë ka qenë i pranishëm në Serbi edhe në vitet ’90, edhe tani po përmendet gjithnjë e më shpesh si kapja e trenit të fundit. Për shkëmbimin e territoreve ka pasur ide edhe ndër shqiptarët, sidomos nga liderët dhe popullsia e Luginës së Preshevës. Tani ka zëra që thonë se në mes të Trumpit dhe Putinit ka pasur një marrëveshje për këtë, duke e lidhur edhe me koncesionet e Rusisë rreth Krimesë. Por, nuk më besohet se kjo mund të ndodhë vetëm me një marrëveshje të tillë. Çështja është shumë më e komplikuar pasi që do të shërbente si precedentë për konflikte të ngjashme territoriale gjithandej globit. Ajo çfarë mund të ndodhë pa këto komplikime është që Serbia dhe Kosova paraprakisht ta njohin njëra-tjetrën si shtete të pavarura, pastaj të bëhet shkëmbimi i territoreve në kuadër të përcaktimit të demarkacionit mes dy shteteve. Përndryshe, Kosova si edhe shtetet e tjera të dala nga shkatërrimi i ish-Jugosllavisë i ka kufijtë çfarë kanë qenë në ish-federatën jugosllave.

“Epoka e re”: Presidenti ka paralajmëruar se pjesë e fazës finale do të jetë edhe mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. A mund të sjellë dialogu rezultate në këtë drejtim, apo Serbia nuk do të pranojë fare të diskutojë për këtë çështje?
Maliqi: Mund të jetë prelud për inkuadrimin e çështjes së shkëmbimit të territoreve, por më parë është thjesht kushtëzim i Kosovës që t’i zvogëlojë ambiciet e Serbisë rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Beogradi nuk mund të kërkojë autonomi për Asociacionin nëse nuk u jep shqiptarëve të Luginës të drejta dhe status të njëjtë. Nuk di pse më herët nuk e ka pasur Kosova këtë kushtëzim në bisedat me Serbinë.

“Epoka e re”: Çfarë do të fitojë apo çfarë do të humbë Kosova me përfundimin e dialogut me Serbinë? Cili do të jetë bilanci i Kosovës nga ky proces?
Maliqi: Nëse gjithçka do të zhvillohet sipas parashikimeve optimiste, Kosova do të sigurojë njohje të pavarësisë nga Serbia, çfarë nënkupton edhe ulësen në Kombet e Bashkuara. Rreth kësaj besoj se nuk do të mund të bëhet kompromis, për shembull, që Kosovës t’i garantohet statusi i shtetit vëzhgues në OKB. Ky status vëzhgues gjithsesi do të ishte një avancim dhe futja e një këmbe në OKB, por atje do të mund të mbeteshim zhag për shumë kohë. Por, ka edhe versione të tjera jo aq të volitshme. Një prej tyre është që të mos ketë marrëveshje dhe do të mbeteshim në një limbo edhe më të pasigurt se ç’jemi tani, një çështje e ngrirë dhe konflikt objektivisht i ngrirë  deri te një krizë e madhe evropiane ose botërore.

“Epoka e re”: Si e komentoni funksionimin e koalicionit qeverisës? Së fundi, përveç mungesës së kuorumit, opozita ka filluar edhe të mos i votojë  marrëveshjet ndërkombëtare nga të cilat Kosova fiton miliona euro. Edhe sa do të mund të ketë jetëgjatësi kjo Qeveri?
Maliqi: Kjo Qeveri e ka gjetur modusin e mbijetesës në faktin se opozita nuk po mund t’i mbledhë votat për mocion të mosbesimit. Opozita ka hapësirë të vogël manovruese sepse nuk ka ofertë të prekshme dhe premtuese për partnerë koalicioni as me LV-në e as disa parti që janë tani në pushtet dhe do të mund të aspironin më shumë në një qeveri tjetër. Ashtu sikur që kemi pasur bllokadën e mungesës së numrave dhe alternativave në vitet 2014-2015, tani kemi një bllokadë të numrave brenda Kuvendit që nuk mund të zbërthehet lehtë, edhe për shkakun se e kaluara e ka djegur besimin mes shumë partive dhe ato nuk po llogarisin në kombinime të reja të koalicioneve. Duhen pritur zgjedhjet e reja të përgjithshme për të parë nëse ka ndryshime në raportet mes subjekteve politike dhe a ka ndonjë forcë të re që mund të ribalancojë garën për pushtet. Partia e re e vjetër socialdemokrate ka ndoshta potencialin që ta ndryshojë lojën, por pasi që është ndarë nga LV-ja, ende nuk është as vetë e sigurt se mund ta kalojë pragun dhe nuk po gjen as partnerin me të cilin do të mund ta bënte koalicionin paraelektoral. PSD-ja do të mund të faktorizohej edhe më nëse do të hynte në ekipin e dialogut, sado i gjymtë që do të ishte në krahasim me ekipin e synuar të unitetit. Por, ata janë ende peng të retorikës së trashëguar nga të qenit pjesë e LV-së.

“Epoka e re”: Z. Maliqi, mund të presim ndonjë iniciativë serioze nga opozita për rrëzimin e Qeverisë, apo do të kemi vetëm deklarata politike?
Maliqi: Derisa janë të vetëdijshëm se nuk i kanë votat për rrëzimin e Qeverisë më shumë bëhet fjalë për retorikë. Po kështu, ndoshta edhe i frikësohen pushtetit në këtë periudhë kur pritet që të aktivizohet Gjykata Speciale dhe të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë. LDK-ja do të bënte mirë nëse do ta ndihmonte procesin e dialogut duke u dëshmuar si parti institucionaliste.

 Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rritja enorme e automjeteve të paregjistruara në vendin tonë është…