Mallorca e Muriqit rrezikon seriozisht rënien nga La Liga
Mallorca e Vedat Muriqit ka marrë një tjetër goditje të rëndë në La Liga, duke u mposhtur 2-0 nga Levante.
Kjo disfatë ia ka ulur edhe më shumë gjasat e skuadrës për të mbetur në elitën spanjolle, me vetëm një xhiro të mbetur deri në fund të kampionatit.
Vendasit kanë kaluar në avantazh në minutën e 32-të, kur Carlos Espi ka përfituar nga një gabim i mbrojtjes së Mallorcës dhe ka realizuar me qetësi nga afër zonës për 1-0.
Mallorca ka tentuar të reagojë, por nuk ka arritur të krijojë rrezik serioz, ndërsa në pjesën e dytë loja është komplikuar edhe më shumë me ndërprerje dhe tensione.
Momenti që ka vulosur ndeshjen ka ardhur në minutën e 87-të, kur Kervin Arriaga është shkëputur më lart pas një goditjeje këndi dhe ka shënuar me kokë për 2-0.
Sulmuesi i Kosovës dhe Mallorcas, Vedat Muriqi, ka luajtur 90 minuta, por pa mundur ta gjejë golin në këtë përballje.
Me këtë humbje, Mallorca mbetet në një pozicion shumë të vështirë dhe me shanse minimale për mbijetesë në La Liga, duke pritur tani llogaritjet dhe rezultatet e xhiros së fundit për të mësuar fatin e saj. Në rast se nuk vjen mrekullia, sezoni i ardhshëm mund ta gjejë skuadrën e Muriqit në Segunda Division.



