
Mamia e luftës së Kosovës: Kam ndihmuar mbi 100 gra të lindin nëpër male
Sanije Desku ka shërbyer si mami gjatë luftës së Kosovës. Dy dekada më parë ajo ka ndihmuar rreth 100 gra të lindin fëmijët e tyre. Shumë lindje ajo i ka ndihmuar, kur forcat serbe bombardonin fshatrat e rrethinës së Malishevës. Në një intervistë në ‘’Rreze Dielli’’, ajo tregoi për këto përjetime të saj gjatë luftës dhe ndihmën e paçmuar që i ka dhënë grave shtatzëne.
‘’Atë periudhë e kujtoj me frikë të madhe sepse hyrja forcave policore serbe nëpër fshatra të Malishevës, bënë që ne të ikim nga fshati ynë dhe së pari në një fshat në Komunë të Malishevës pastaj kur u rrezikuam aty, u desh me dal nëpër male’’ shprehet Sanije Desku.
Ajo ndër të tjera thotë se për shkak të luftës i është dashur të largohet nga shtëpia e saj, duke u larguar në disa fshatra të tjera, por edhe atje nuk ishin të sigurtë, në mes të natës Sanija bashkë me fëmijët e saj largohet drejt maleve. Mirëpo edhe në këto kushte të vështira, ajo e vazhdoi profesionin e saj, duke ndihmuar shumë nëna të sillnin në jetë fëmijët e tyre.
‘’Ka pasur dhe raste të ushtarëve të plagosur, civil, fëmijë, pleq, të cilët iu kam ndihmuar sepse isha dhe infermiere dhe mami,….Asnjë rast nuk më ka dështuar, as nënë dhe as foshnjë nuk më ka vdekur, asnjë mbi 100 raste kanë qenë. Mjetë skam pasur fare, as doreza, gjërat elementare nuk i kam pasur, as kordonët për me i lidh, më duhej me i zi disa fasha dhe me një palë gërshërë të metalit, i zieja në ujë dhe me ato i prija fashën dhe jua lidhja bebave kordonët” shprehet znj. Sanije Desku./Shqiptarja.com/