Man Unitedi gjen pasuesin e Rashfordit për 70 milionë euro

13 shkurt 2026 | 11:21

Barcelona po punon për ta transferuar përfundimisht Marcus Rashford, i cili po shkëlqen gjatë huazimit të tij në Spanjë.

Performanca e tij e lartë me klubin katalanas ka bindur drejtuesit që të nisin procedurat për ta siguruar kartonin e tij në mënyrë të përhershme, duke e konsideruar sulmuesin anglez si pjesë kyçe të projektit afatgjatë.

Në rast se transferimi finalizohet, Man Utd ka përgatitur një plan alternativ për të mbushur boshllëkun që do të lërë largimi i një prej lojtarëve më të rëndësishëm të viteve të fundit.

Drejtuesit e “Djajve të Kuq” kanë identifikuar sulmuesin senegalez Iliman Ndiaye si kandidatin ideal për të forcuar repartin ofensiv.

25-vjeçari, i cili aktivizohet me Everton, ka treguar rritje të qëndrueshme në Ligën Premier, duke regjistruar pesë gola dhe dy asistime këtë sezon.

Forma e tij e mirë, e kombinuar me suksesin e arritur me përfaqësuesen e Senegalit në Kupën e Kombeve të Afrikës, ka rritur ndjeshëm vlerën e tij në tregun evropian.

Manchester United vlerëson te Ndiaye aftësinë për të luajtur në disa pozicione në vijën e sulmit, si dhe fleksibilitetin taktik që ai mund të ofrojë në një skuadër që synon rikthimin në elitën e futbollit anglez.

Megjithatë, Everton e ka blinduar lojtarin me kontratë deri në vitin 2029 dhe raportohet se nuk do ta lejojë të largohet për më pak se 70 milionë euro.

Pavarësisht paqartësive për trajnerin e ardhshëm, strategjia në afatin kalimtar po ecën përpara me vendosmëri.

Nëse realizohet, afrimi i Ndiaye do t’i jepte United një dimension të ri në sulm, përkrah emrave si Bruno Fernandes, Amad Diallo dhe Matheus Cunha.

Shitja e mundshme e Rashford te Barcelona do t’i siguronte klubit anglez hapësirën financiare për të investuar në mënyrë agresive në afatin kalimtar.

Objektivi është i qartë, rikthimi në garën për titull dhe rindërtimi i një skuadre konkurruese në të gjitha frontet.

E ardhmja e Ndiaye mbetet e hapur, por nëse negociatat me Everton arrijnë një marrëveshje, Manchester United do të dërgonte një sinjal të fortë për ambiciet e tij.

Me largimin e mundshëm të një prej figurave simbol të skuadrës drejt “Camp Nou”, klubi synon të nisë një kapitull të ri me energji, talent dhe ambicie.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përzgjedhësi i Shqipërisë në futboll, Sylvinho, ka thënë se Liga…