Manaj: Misioni për mbijetesë nuk është i paarritshëm

04 korrik 2020 | 10:11

Arb Manaj ka thënë për “Epokën e re” se Trepça ’89 e ka të vështirë misionin e sigurimit të mbijetesës, por jo të pamundur.

Skuadra e Trepçës ’89 arriti fitore në ndeshjen e fundit kundër Drenicës në Skenderaj dhe me tri pikët e fituara ka mbetur në garë për mbijetesë. Arb Manaj ka thënë të premten për “Epokën e re” se skuadra nga Mitrovica arriti ta kapë trenin e fundit në garën për mbetjen në IPKO Superligën e Kosovës. “Mund të them se ishte treni i fundit për skuadrën tonë, duke e marrë parasysh që kishim një rival për mbijetesë. Të gjithë futbollistët kanë dhënë maksimumin ndaj Drenicës dhe në fund arritëm të fitojmë me plot meritë. Kjo fitore na ndihmon shumë psikikisht dhe moralisht”, ka deklaruar Manaj.

Futbollisti i talentuar ka konfirmuar se Trepça ’89, edhe përkundër pozitës së paralajmëruar në tabelën e klasifikimit, nuk do të dorëzohet, por do të luftojë deri në fund për mbijetesë. Ai parashikon se kjo garë do të jetë mjaft e vështirë, por beson se skuadra e tij do t’ia arrijë në fund qëllimit. “Jemi katër pikë larg pozitës që na siguron mbijetesën. Ne do të luftojmë deri në fund dhe shpresoj ta arrijmë objektivin tonë. Kjo garë nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi dihet se rivalët kryesorë për mbijetesë i kemi Drenicën dhe Flamurtarin”, ka thënë Manaj.

Futbollisti Manaj ka shkëlqyer me fanellën e Trepçës ’89, ani pse kësaj skuadre i kanë munguar rezultatet pozitive. Manaj kishte arritur të merrte ftesë nga përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, për ndeshjen miqësore me Suedinë. Ndërsa tash ofertat në drejtim të tij vetëm sa po shtohen. Lidhur me të ardhmen, Manaj ka bërë me dije se do të vendosë pas përfundimit të kampionatit. “Kam oferta nga shumë shtete, po ashtu edhe nga Turqia, por njëherë e kam mendjen te kampionati dhe pastaj do t’i shikoj ofertat dhe do të vendos për të ardhmen time”, ka shtuar ai. Skuadra e Trepçës ’89 ndeshjen e radhës e zhvillon nesër (e diel) ndaj skuadrës së Ferizajt.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga sot është rikthye linja e autobusit të Trafikut Urban…