
Manalit, fabrika që po ushqen makinerinë e luftës së Rusisë
Në pranverën e vitit 2024, Qeveria e Bjellorusisë e vendosi fabrikën për prodhimin e komponentëve të radios në Vitebsk, Manalit, në Bordin e Nderit të Republikës, për “rezultate të shkëlqyera ekonomike”. Kjo ishte hera e dytë radhazi që fabrika merr vlerësim të tillë.
Vlerësimi për Manalitin, prodhuesin me pronësi ruse që vepron në Bjellorusi, u bë në një kohë kur fabrika ishte bërë furnizues kyç i komponentëve elektronikë me besueshmëri të lartë për raketa, radarë dhe avionë, të cilët përdoren nga Rusia në luftën e saj kundër Ukrainës.
Gjatë dy vjetëve të para të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, që filloi në shkurt të vitit 2022, fitimet vjetore të Manalit u rritën pothuajse gjashtëfish, të nxitura gati tërësisht nga eksportet ushtarake drejt Rusisë.
Historia e Manalit pasqyron atë të shumë ndërmarrjeve të industrisë së madhe bjelloruse. E themeluar në kohën e Bashkimit Sovjetik si prodhues kryesor i kondensatorëve qeramikë, fabrika hyri në krizë në vitet e ’90-ta, kur kërkesat ranë ndjeshëm. Deri në vitin 2009, ajo ishte pranë shuarjes së plotë.
Në vitin 2011, shpëtimi dhe ndryshimi rrënjësor erdhën nga ish-konkurrenti i saj: fabrika Kulon në qytetin e dytë më të madh të Rusisë, Shën Petersburg.
Investitorë rusë blenë 51 për qind të aksioneve, duke e kthyer praktikisht Manalitin në një bazë prodhimi jashtë vendit për industrinë e mbrojtjes ruse.
Kondensatorë të ndërtuar për luftë
Manaliti njihet për prodhimin e kondensatorëve qeramikë me shumë shtresa, me qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, të certifikuar për përdorim në mjete ushtarake dhe hapësinore.
“Nëntëdhjetë e shtatë për qind e prodhimit tonë i shërben industrisë së mbrojtjes së Rusisë”, pati thënë drejtori i Manalit, Alyaksandr Shumakher, për agjencinë shtetërore BelTA, në nëntor të vitit 2020.
Në vitin 2024, kryetari i Komitetit Ekzekutiv Rajonal të Vitebskut, Alyaksandr Subotsin, theksoi se fabrika “po punonte në mënyrë të rregullt” dhe kishte treguar rezultate “të kënaqshme” gjatë dy vjetëve të fundit.
Kondensatorë si seria K10-84 e Manalit nuk janë menduar për elektronikë të konsumit. Ata gjenden në sistemet e drejtimit të raketave, në radarë, module të luftës elektronike dhe sisteme të kontrollit bërthamor, ku dështimi mund të nënkuptojë humbjen e një misioni apo arme.
Një mangësi ligjore në sanksione
Sanksionet që Perëndimi i vendosi ndaj Rusisë në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë, ia ndërprenë Kremlinit qasjen e drejtpërdrejtë në elektronikë të avancuar perëndimore për përdorim ushtarak.
Por, Bjellorusia nuk iu nënshtrua të njëjtave kufizime deri në vitin 2022. Për gati tetë vjetëve, Manaliti e shfrytëzoi këtë boshllëk, duke importuar pajisje dhe materiale nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, për t’i dërguar më pas komponentët e përfunduar në Rusi si zëvendësim për pjesët e ndaluara perëndimore.
Edhe sot, pavarësisht sanksioneve të BE-së dhe SHBA-së, Manaliti mund të blejë linja prodhimi KEKO nga Sllovenia, t’i pajisë me panele kontrolli Pro-face nga Japonia (në pronësi të Schneider Electric të Francës) dhe të vazhdojë të furnizohet me pluhur metalesh të çmuara nga SHBA-ja për prodhimin e kondensatorëve.
Prova në mbetjet e luftës
Sipas një specialisti nga Drejtoria Kryesore e Inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës (HUR), kondensatorët K10-84 të prodhuar nga Manaliti janë gjetur në raketat balistike Iskander, raketat lundruese Kalibr, raketat ajrore Kh-101, raketat mbrojtëse ajrore S-200 dhe S-300, si dhe në sistemet e radarëve kundër-bateri, Zoopark.
“Sistemi i presionit të ajrit në raketat Kh-101, të gjithë kondensatorët dhe 80 për qind e mikroçipave janë të prodhimit bjellorus. Sa i përket blloqeve të kontrollit në Iskanderët e modelit 2024, pothuajse çdo kondensator aty është nga Manaliti”, tha specialisti për Radion Evropa e Lirë.
Lidhjet me Kremlinin
Eksportet e Manalit drejt Rusisë kalojnë përmes një shpërndarësi të vetëm: Spetselektronkomplekt (SpecEk), një furnizues i rëndësishëm i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë.
Të dhënat doganore të siguruara nga REL-i dhe Qendra Hulumtuese Bjelloruse tregojnë se nga tetori 2022 deri në mars 2025, Manaliti i ka dërguar SpecEk mallra me vlerë 43 milionë dollarë, 96 për qind të të cilave janë kondensatorë qeramikë.
SpecEk është i regjistruar në regjistrin e mbyllur të kontraktorëve të mbrojtjes në Rusi, që liston furnizues për partnerë si:
- Rostec: Përfshin 350 ndërmarrje të mbrojtjes, që prodhojnë 40 për qind të porosive shtetërore të armëve.
- Almaz-Antey: Prodhues i sistemeve raketore S-300, S-400, Buk dhe Tor.
- KRET: Sisteme të luftës elektronike.
- UAC: Avionët Su, MiG dhe Tupolev.
- Korporata e Raketave Taktike: Raketat precize, përfshirë Kh-101.
- UralVagonZavod: Prodhues i tankeve kryesore të betejës.
- Helikopterët rusë: Mi-8, Ka-52, Mi-35.
Fitimet nga lufta, sanksionet
Para fillimit të luftës në vitin 2022, fitimi vjetor i Manalit ishte rreth 1.4 milionë dollarë. Deri në vitin 2024, fitimi neto arriti në 6.2 milionë dollarë. Kompania ka pasur rritje mbi 460 për qind gjatë pesë vjetëve të fundit.
Ajo ka arritur fitime rekord gjatë konfliktit më të përgjakshëm në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore.
Në maj 2023, Ukraina vendosi sanksione ndaj Manalit për “lehtësim të drejtpërdrejtë të agresionit ushtarak rus”. Ndërkohë, as BE-ja dhe as SHBA-ja nuk kanë ndjekur të njëjtin hap, duke i lënë kompanisë qasje të hapur tek furnizuesit perëndimorë.
Kjo e ka bërë Manalit “portë të sanksioneve” – një entitet ligjor bjellorus që dërgon teknologji perëndimore drejt ushtrisë ruse.
Që nga kalimi nën kontrollin rus në vitin 2011, Manaliti është modernizuar me pajisje perëndimore, ka ruajtur qasje të hapur në lëndë të para nga Evropa dhe SHBA-ja dhe ka siguruar certifikimin ushtarak rus.
Ajo ka furnizuar gjithashtu kondensatorë të gjetur në raketa që kanë goditur shumë qytete ukrainase.
Derisa qeveritë perëndimore diskutojnë për sanksione të reja, kondensatorët e prodhuar në një fabrikë të qetë bjelloruse vazhdojnë rrugën e tyre nga linjat e montimit në Vitebsk drejt fabrikave të raketave në Rusi dhe, në fund, drejt qiellit mbi Ukrainë. /REL