
Mandati më i shkurtër në histori, Lecornu jep dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Francës vetëm 27 ditë pas emërimit
Sebastien Lecornu ka paraqitur dorëheqjen e tij si kryeministër i Francës, e cila është pranuar nga presidenti Emmanuel Macron, ka njoftuar Pallati Élysée.
I emëruar më 9 shtator, Lecornu është përballur menjëherë me kritika të ashpra nga opozita dhe e djathta, veçanërisht pasi publikoi një pjesë të përbërjes së kabinetit të tij vetëm disa ditë më parë. Ai pritej të mbante deklaratën e tij të përgjithshme politike në Kuvend këtë të martë, por vendosi të tërhiqej përpara këtij momenti kyç.
Sipas raportimeve të “Le Figaro”, Lecornu ka qëndruar në krye të qeverisë vetëm 27 ditë, duke hyrë kështu në histori si kryeministri me mandatin më të shkurtër që ka pasur ndonjëherë Franca.
Dorëheqja e tij pritet të hapë një fazë të re tensioni politik në Paris, teksa Macron duhet të emërojë pasuesin e radhës në një periudhë të ndjeshme për qeverinë franceze.