Manipulimet në Deçan: Arrestohet kryesuesi i një qendre votimi, nesër arrestime të reja
Pas autorizimit të Prokurorisë në Pejë për hetimet lidhur me procesin zgjedhor të numërimit të votave, një person sot u arrestua nga Policia e Kosovës.
Klan Kosova mëson se bëhet fjalë për një kryesues të një qendre votimi në Deçan ku kishte një dallim të madh të votave pas rezultateve të rishikuara edhe nga të dhënat prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
I njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimeve” për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Televizioni mëson se ky nuk do të jetë arrestimi i vetëm në këtë rajon meqenëse nga nesër me policët pejanë punë do t’ju dalë edhe disa të tjerëve.
Në mesin e të cilëve të dyshuar ka edhe zyrtarë të lartë institucionalë. Ndryshe, sot janë intervistuar 30 persona, sikurse ditën e djeshme.
Përgjegjësi më të madhe penale që çon edhe në prangosje do të kenë rastet tek qendrat me diferencë të madhe të votave, kurse të tjerët pritet të lirohen në procedurë të rregullt sikurse edhe në komunat e tjera.



