Manipulimi me vota në Gjilan, Prokuroria: Cak kryesuesit e qendrave të votimit

03 shkurt 2026 | 10:55

Aksioni i madh i Krimeve Ekonomike, i cili para disa ditësh çoi në arrestimin dhe ndalimin e dhjetëra personave në Prizren, Malishevë, Podujevë, Mitrovicë, sot është zgjeruar edhe në Gjilan, merr vesh Sinjali.

Siç merret vesh, cak i hetuesve fillimisht janë kryesuesit e qendrave të votimit në Gjilan.

Sinjali për këtë aksion e ka kontaktuar kryeprokurorin e Gjilanit, Arben Kadriun, por as ai dhe as Policia ende nuk kanë dhënë detaje ende për rastin.

Operacioni i sotëm në Gjilan është pjesë e një vale hetimesh dhe ndalimesh që ka përfshirë dhjetëra komisionerë, kryesues qendrash të numërimit dhe persona të tjerë të dyshuar në shumë komuna të Kosovës – përfshirë Prizren, Malishevë, Podujevë, Mitrovicë dhe vende të tjera.

Burimet sqarojnë se vala e re e veprimeve policore ka në shënjestër persona që nuk ishin intervistuar më parë, ndërsa aksioni është rezultat i punës intensive hetimore, analizimit të materialeve të sekuestruara dhe verifikimit të provave të reja që kanë dalë gjatë hetimit.

Po ashtu, mësohet se gjatë realizimit të urdhëresave pritet edhe sekuestrimi i pajisjeve elektronike, përfshirë telefona mobilë dhe mjete të tjera të komunikimit, të cilat dyshohet se janë përdorur për koordinim dhe manipulim të procesit zgjedhor.

Hetimet po zhvillohen në koordinim të ngushtë me Prokurorinë kompetente, ndërsa burimet theksojnë se ky aksion nuk do të ndalet me kaq, pasi lista e personave nën dyshim është më e gjerë.

Autoritetet ditëve të kaluara kanë ndaluar dhjetëra të dyshuar për falsifikim të votave, ndërhyrje në rezultatin zgjedhor dhe shkelje të të drejtës së votës.

Këto veprime vijnë në vijim të një procesi të rinumërimit të votave në të gjithë vendin dhe një operacioni kombëtar për të adresuar çdo shkelje të mundshme që minon integritetin e votës së qytetarëve kosovarë.

Institucionet kanë bërë me dije se do të vazhdojnë aksionet dhe se çdo person i përfshirë në manipulime votash do të përballet me ndëshkime ligjore në përputhje me Kodin Penal të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupia, ka thirrur…