Manovrat e rrezikshme gjeopolitike të Serbisë

12 tetor 2021 | 14:46

Shkruan: Hajdin Abazi

Serbia, vazhdimisht por sidomos kohëve të fundit, është shumë aktive në manovra të ndryshme gjeostrategjike në rajon, me pretekste interesash të ndryshme.
Në drejtim të Kosovës ajo ka bërë provokime të ndryshme thuaja pa ndërprerë, por ato kësaj here u bënë të dukshme për botën kur Qeveria e Kosovës më 20 shtator 2021 vendosi reciprocitetin për targat, dhe Serbia reagoi në mënyrë agresive, duke aktivizuar ushtrinë, artilerinë tokësore dhe aviacionin luftarak, edhe pse Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës kishin sjellje ekskluzive paqësore.
Për ta dramtizuar edhe më lëvizjen e helikopterëve ushtarakë dhe aeroplanëve luftarak serbë, më 26 shtator 2021 ambasadorit rus Aleksandar Bocan Kharchenko shkoi në garnizonin ushtarak serb në Rashkë, afër pikës kufitare në Jarinjë, ku u prit nga ministri i mbrojtjes serbe Nebojsha Stefanoviq, duke i dërguar mesazh BE-së por edhe ShBA-ve. Pas kësaj, erdhi kercenimi i Vuçiqit për NATO-n, që për 24 orë të veprojë KFOR-i në Veri të Kosovës!
Pastaj, para ndërmjetësuesit të BE-së Miroslav Laçak dhe sidomos para emisarit amerikan Gabriel Escobar, u shfaq një Serbi krejt tjetër, me një retorikë paqedashëse, dialoguese dhe e hapur, sa të mbushej mendja se ishte prekur nga magjia dhe kishte ndryshuar brenda natës e ishte bërë pro-perëndimore!
Por, Serbia, thjesht, po luan me shumë letra njëherësh, ku ajo synon interesin serbomadh ta faktorizojë para së gjithash kundrejt Kosovës, por edhe kundrejt Bosnjë-Hercegovinës.
Por synimet e Serbisë shkojnë përtej kësaj, shumë përtej.
Ajo që po bën Serbia është një manovër gjeostrategjike e mpleksur me gërshetimin e interesave rajonale, e po aq edhe globale.
Njihen sjelljet e shteteve diktatoriale, si Irani e Koreja e Veriut, të cilat janë të pozicionuara haptazi kundër perëndimit në krye me ShBA-të. Sjellja e Serbisë është shumë më e sofistikuar.
Serbia me gjeopolitikat e saja i ngjanë kameleonit. Përpara ShBA-ve aktron të qenit pro-ShBA. Njëjtë vepron edhe me europianët, BE-në, duke u paraqitur si e moderuar dhe me frymë e vlera perëndimore!
Edhe përpara Rusisë e Kinës, sillet ndryshe, si një fatkeqe që gjeografikisht ndodhet në një kontinent që është sferë perëndimore, e BE-së dhe ShBA-ve, por që qejf do të ishte hapur e lidhur me interesa ruso-kineze.
Serbia, në të vërtetë, me rolet e ndryshme sipas interesave diverte të superfuqive po përpiqet të faktorizohet duke shfrytëzuar në të gjitha mënyrat e mundshme pozicionin e vet gjeostrategjik.
Serbia, përveç lidhjeve kulturore sllave dhe pravosllave me Rusinë, e konsideron atë si vëllanë e madh, te i cili pandehë të gjejë përkrahje për agjendat anti-Kosovë, përmes mbështetjes politike. Prej saj furnizohet me armatimet më të fundit madje. Rusia, e shfrytëzon Serbinë si gjeografi për të infiltruar interesat gjeostrategjike ruse kundrejt BE-së dhe ndikimit perëndimor, sidomos kundër ShBA-ve, në Ballkan.
Kina e ka cak Serbinë si sferë strategjike të interesit ekonomik, duke depërtuar me soft power, përmes blerjes së fabrikave e minierave, dhe investimeve në infrastrukturë. Madje, duket se ekziston një strategji kinezo-serbe për rrugë tregtare përmes Ballkanit prej Greqisë drejt Evropës nëpërmes Beogradit, qytet ky që do të shërbejë si një “port” akumulues dhe shpërndarës. Se pas kësaj fshihet ndikimi politik kinez, kjo tashmë është e njohur, e si shembull mund të merren Ishujt Solomon, ku përmes kapitalit financiar Kina ka ndikuar politikën deri në strukturën qeverisëse.
Në anën tjetër, Serbia angazhohet për integrimet europiane, për të përfituar prej BE-së. Madje edhe i ka hapur kapitujt për integrim. Por ajo, donë të futet jo e vetme, por si e lidhur fort me fije ekonomike e politike ruse e kineze. Përderisa në aspektin politik, ky pozicion i Serbisë është shqetësues, sepse paraqet infiltrim gjeopolitik ruso-kinez, në aspektin ekonomik mund të paraqes një joshje për tregun europian.
Po me ShBA-të? Serbia paraqitet në role të shumëfishta. Përmes lidhjeve ruso-kineze, e shpërfaq fuqinë kërcënuese. Por nuk hezitoi të nënshkruajë marrëveshjen e Uashingtonit më 4 shtator 2020, në disa segmente edhe kundër interesave ruso-kineze. Ajo po përpiqet të paraqitet si një shtet që ngërthen shumë interesa, është me të gjithë nga pak por me askënd tërësisht, duke lënë shumë dyer hapur. Me këtë, ajo e rrit vlerën e vet në treg dhe lartëson çmimin e pozicionimit, ku të shpërblehet me grante zhvillimore amerikane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Robert Lewandowski ka dhënë një intervistë për mundësinë e fitimit…