Maqedonci falënderon veteranët amerikanë për mbështetjen ndaj Kosovës
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve Amerikanë të Luftërave të Huaja (VFW), përfshirë Carol Whitmore, Komandante Nacionale e VFW-së, dhe Ryan Gallucci, drejtor ekzekutiv i Zyrës së Uashingtonit të kësaj organizate.
Gjatë takimit, Maqedonci ka theksuar lidhjet e forta ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta, sakrificë dhe partneritet strategjik.
Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për shërbimin dhe kontributin e veteranëve amerikanë në Kosovë, si dhe për mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj vendit.
“Shpreha mirënjohjen time të thellë për shërbimin e tyre në Kosovë dhe për mbështetjen e vazhdueshme të veteranëve amerikanë ndaj Kosovës”, ka shkruar Maqedonci në një postim në “Facebook”.
Takimi kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet palëve dhe riafirmimin e mbështetjes së SHBA-së ndaj forcave të sigurisë dhe veteranëve të Kosovës.



