
Maqedonci: Investimi në ushtri për ta mbrojtur territorin dhe kontribuar paqes
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se investimet e qeverisë në fushën e mbrojtjes ka për qëllim ngritjen e kapacitete për ushtarake për mbrojtje të territorit dhe kontribuar për siguri e paqe në rajon dhe më gjerë.
Kështu është shprehur Maqedonci në takimet e ministrave të Mbrojtjes së Evropës Qendrore dhe Jug-Lindore në kuadër të Ministerialit të Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore, ku po merr pjesë me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes së Sllovakisë, Robert Kalinak.
Maqedonci ka thënë se ka shprehur vendosmërinë e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian.
“Në fjalën time theksova vendosmërinë e vendit tonë në rrugën e integrimit euro-atlantik, anëtarësimit në NATO dhe BE. Gjithashtu njoftova të pranishmit rreth zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës, në përputhje dhe të ndërveprueshme me NATO, duke theksuar se investimet e qeverisë në mbrojtje kanë qëllim që të ndërtojmë kapacitete ushtarake të afta për të mbrojtur territorin dhe jetën e qytetarëve të Kosovës si dhe për të kontribuar për paqe dhe siguri regjionale dhe globale”, ka shkruar Maqedonci në “Facebook”.
Ai ka bërë me dije se gjatë këtij ministeriali me theks të veçantë është diskutuar rreth bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes dhe mundësitë tjera të bashkëpunimit regjional.