
Maqedonci në Uashington, merr pjesë në konferencën vjetore dhe panairin e industrisë së mbrojtjes ‘AUSA 2025’
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në shënimin e 250-vjetorit të themelimit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ftesë të Asociacionit të Ushtrisë Amerikane (AUSA) është duke marrë pjesë në Konferencën Vjetore dhe Panairin e Industrisë së
Mbrojtjes “AUSA 2025”, e cila po zhvillohet në Uashington D.C., me pjesëmarrjen e 92 përfaqësuesve të vendeve të botës.
“Panairi AUSA-së, i organizuar në kryeqytetin amerikan në Uashington D.C., është një platformë strategjike që bashkon udhëheqësit më të lartë ushtarakë, inovatorët e industrisë së mbrojtjes, politikbërësit dhe delegacionet ndërkombëtare në një takim vjetor. Ngjarja, e cila do të zgjasë tre ditë, ofron mundësi të rëndësishme për të eksploruar teknologjitë më të avancuara ushtarake dhe për të thelluar bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes me synim shqyrtimin e mundësive për zhvillimin e mëtejshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me nevojat, prioritetet dhe standardet bashkëkohore të mbrojtjes”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes.