
Maqedonci: Serbia me 70 % të ushtrisë pranë Kosovës
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka proklamuar situatë të rrezikshme sigurie, duke thënë se rreth 70 për qind e të gjitha kapaciteteve të ushtrisë së Serbisë janë të vendosura jo larg Kosovës.
Maqedonci tha se, përveç rreth 70 për qind të kapaciteteve ushtarake, duhet shtuar edhe 48 bazat e përparme të cilat, sipas tij, Kosova vlerëson gjithmonë se paraqesin kërcënim.
“Diku 70 % e të gjitha kapaciteteve ushtarake të ushtrisë së Serbisë janë të vendosura në jug të territorit të saj, pra jo larg Republikës së Kosovës. Dhe kësaj duke i shtuar edhe këto 48 bazat e përparme që ne gjithmonë vlerësojmë se paraqesin kërcënim”.
“Kur fqinji t’i vendos në kufi forcat ushtarake në një farë forme apo një tjetër e kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e atij vendi. Kjo nuk po bëhet rastësisht. Dhe kur e kemi gjithë këtë prezencë dhe kemi një mbështetje të grupeve kriminale dhe terroriste siç ishte ai i Radoiçic, që tentoi aneksim të Veriut të vendit tonë, tregon për qasjen agresive që Serbia vijon ta ketë në raport me Republikën e Kosovës”, tha për A2 CNN.
Më tutje, Maqedonci u shpreh se e shohin gjithmonë si të mundshme që Serbia në një moment mund të ndërmarrë veprime për ta destabilizuar rajonin.
“Ne në vazhdimësi e ngremë si shqetësim prezencën e bazave të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës”, tha ai.