Maqedonci takohet me homologun zviceran, theksohet rëndësia e diasporës dhe bashkëpunimit ushtarak mes Kosovës dhe Zvicrës

08 korrik 2025 | 12:07

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i shoqëruar nga zëvendësministri në detyrë, Shemsi Syla, dhe sekretari i përgjithshëm në këtë ministri, Gafurr Dugolli, kanë pritur në takim kancelarin Federal dhe ministrin e Mbrojtjes, Mbrojtjes Civile dhe Sportit të Zvicrës, Martin Pfister, të shoqëruar nga delegacioni i tij.

Ministri Maqedonci, ka theksuar rolin kyç të diasporës sonë në Zvicër si një urë lidhëse mes dy vendeve, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe zhvillimin e vendit tonë.

“Në takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e trajnimeve dhe edukimit ushtarak – një hap i rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes.

Gjithashtu, ministri Maqedonci ka informuar homologun zviceran për arritjet e FSK-së ndër vite dhe ja theksuar rëndësinë strategjike të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO, si garanci për stabilitetin e qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Të dy ministrat janë dakorduar për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, duke konfirmuar përkushtimin e ndërsjellë për një të ardhme më të sigurt dhe më të qëndrueshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kur bëhet fjalë për performancën e një veture, gjithçka fillon…