Maqedonci takon zyrtarët gjermanë, diskutohet thellimi i bashkëpunimit në siguri
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në kuadër të angazhimeve zyrtare, të enjten ka zhvilluar një takim me Thomas Röwekamp, kryetar i Komisionit për Mbrojtje në Bundestagun gjerman, si dhe me anëtarët e këtij komisioni.
Përmes një postimi në “Facebook”, Maqedonci ka bërë me dije se gjatë takimit është diskutuar për avancimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe për objektivat e përbashkëta strategjike.
Ai ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj misionit të KFOR, duke theksuar rolin e tij në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Sipas tij, Republika e Kosovës mbetet një partnere e besueshme në fushën e sigurisë, duke kontribuar përmes angazhimit të Forca e Sigurisë së Kosovës në misione ndërkombëtare, përfshirë në Kuvajt dhe Ishujt Falkland.
Maqedonci ka ritheksuar se anëtarësimi në NATO mbetet një objektiv strategjik i Kosovës, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë për këtë proces.
Më tutje, ai ka thënë se Kosova është e përkushtuar ndaj transparencës, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit, si parime themelore për ndërtimin e partneriteteve serioze në fushën e mbrojtjes.
Në fund, Maqedonci ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë po vazhdon të thellohet, i bazuar në vlera demokratike dhe besim të ndërsjellë.



