Maqedonia e Veriut voton nesër, 1.8 milionë qytetarë zgjedhin kryetarët dhe këshillat komunalë

18 tetor 2025 | 22:33

Maqedonia e Veriut mban nesër, më 19 tetor 2025, zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia. Qytetarët do të votojnë në të 80 komunat e vendit dhe në Qytetin e Shkupit për të zgjedhur kryetarët e rinj dhe anëtarët e këshillave komunalë.

Të drejtë vote kanë gjithsej 1.832.415 qytetarë, prej të cilëve 1.717.803 votues ndodhen në vend. Procesi i votimit do të zhvillohet në 3.474 qendra aktive votimi.

Garë e paqartë në komunat shqiptare

Sipas analizave dhe sondazheve, ndërsa rezultati në shumicën e komunave me popullatë shumicë maqedonase konsiderohet kryesisht i parashikueshëm, beteja zgjedhore mbetet e hapur dhe rezultati i paqartë në disa prej komunave ku votuesit shqiptarë përbëjnë shumicën.

Në këto zgjedhje, garojnë gjithsej 309 kandidatë për kryetarë komunash dhe 576 lista këshilltarësh, me rreth 10.490 kandidatë në total. Në garë marrin pjesë 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 iniciativa qytetare ose kandidatë të pavarur.

Qyteti i Shkupit mban rekordin e numrit më të madh të kandidatëve për kryetar, me 16 emra.

Shifrat kryesore të votimit

Qyteti i Shkupit ka numrin më të madh të votuesve të regjistruar, me 474.304 qytetarë me të drejtë vote. Komunat e tjera me numër të lartë votuesish përfshijnë Kumanovën (94.041), Tetovën (87.878), Gostivarin (82.893) dhe Manastirin (77.253).

Në anën tjetër, komunat me më pak votues janë: Lozova (1.905), Vevçani (2.092) dhe Novaci (2.429).

Nga të dhënat e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Qendra më e madhe votimi ndodhet në lagjen Butel të Shkupit, me gjithsej 1.432 votues.

Vlen të theksohet se, përveç votuesve në listën e rregullt, të drejtën e votës do ta ushtrojnë edhe 2.162 persona të burgosur ose në paraburgim, si dhe 450 votues nga shtëpitë e të moshuarve. Në diasporë nuk do të ketë votim të organizuar, por qytetarët jashtë vendit mund të votojnë nëse kthehen në Maqedoni gjatë ditës së zgjedhjeve.

Zgjedhjet lokale të vitit 2025 janë të katërtat në të cilat zgjidhen njëkohësisht kryetarë komunash dhe këshilla komunalë në të gjitha njësitë administrative. Votimi do të fillojë nesër në mëngjes./rtsh.al/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aida Jashari Alimi, kandidate për Asamblenë Komunale nga radhët e…