
Marash Kumbulla u lëndua në fundjavë, rrezikon lojën ndaj Serbisë
Ishte titullar edhe pse kishte pasur probleme. Trajneri i Mallorcas, Arrasate, duket se nuk mund të bëjë pa Marash Kumbullën duke e futur në fushë në ndeshjen tepër të rëndësishme në La Ligë ndaj Atletico Madridit.
Gjithsesi, qëndrimi në terren i mbrojtësit të kombëtares shqiptare nuk ka vazhduar më shumë se 36 minuta pasi ai ka ndjerë shqetësime fizike dhe është zëvendësuar. Nuk dihet se për çfarë lëndimi bëhet fjalë dhe sesa do të jetë koha e riaftësimit.
Mallorca e tij arriti barazimin 1-1 në fund pas golit të shënuar nga sulmuesi kryesor i Kosovës, Vedat Muriqi. Natyrisht, për Kumbullën do të ketë vizita mjekësore gjatë kësaj jave.
Shpresa është që futbollisti i kombëtares të mos ketë dëmtim të rëndësishëm, ndërsa afron ndeshja ndaj Serbisë në eliminatoret e Kupës së Botës. Lojtari 25-vjeçar ka qenë në fushë në 67 për qind të minutave në kampionat, dhe po ashtu ka qenë titullar për Mallorcan në 75 për qind të ndeshjeve, pra në tre nga katër.
Ai ka vendosur ta vazhdonte karrierën në Spanjë pasi u paraqit mjaft mirë sezonin e kaluar tek Espanyoli, gjithashtu në elitën e futbollit të këtij vendi.
Luajti plot 35 ndeshje nga 38 gjithsej për skuadrën katalanase, duke shënuar 3 gola e duke qenë ndër më të mirët, por klubi nuk ka mundur ta mbante për shkak të rrogës së lartë që merrte tek Roma, e cila e kishte huazuar, dhe tani e ka huazuar për herë të dytë.