Maresca: PSG në majën e botës, por ne luajmë për ta fituar finalen

13 korrik 2025 | 16:43

Në prag të finales së Kupës së Botës për Klube, trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, ka dërguar një mesazh të qartë për kundërshtarin e tij, Paris Saint-Germain.

Në konferencën për shtyp, tekniku italian e pranoi forcën e rivalëve, por theksoi se skuadra e tij është gati të japë maksimumin për të fituar trofeun.

“Sigurisht që PSG është një nga skuadrat më të forta në Europë dhe ndoshta më e mira në botë për momentin”, deklaroi Maresca. “Por çdo ndeshje është ndryshe. I respektojmë shumë dhe më pëlqen t’i shikoj, por jemi këtu për të luftuar dhe për ta fituar këtë finale”.

Maresca, i cili mori drejtimin e Chelseat verën e kaluar pasi u largua nga Leicester City, ka pasur një sezon të shkëlqyer me skuadrën londineze.

Nën drejtimin e tij, Chelsea u rendit në vendin e katërt në Premier League, duke siguruar pjesëmarrjen në Champions League, dhe fitoi trofeun e Conference League.

Tani, finalja kundër një PSG-je që ka dominuar edhe në turneun në Amerikë, përfaqëson një tjetër sfidë të madhe për italianin. “Ka qenë një sezon fantastik. Për mua, suksesi më i madh është që një vit më parë askush nuk fliste për Chelsea-n në aspektin sportiv – përmendej vetëm për buxhetin dhe emrat e mëdhenj.

Sot, të gjithë flasin për mënyrën si luajmë, si fitojmë dhe si e ndërtojmë lojën tonë. Ky është triumfi më i madh personalisht për mua. Dhe shpresoj që të kemi edhe një tjetër trofe nesër”, përfundoi Maresca.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i tha…