
Marigona Kadriaj takohet me veteranët e UÇK-së në Suharekë: “Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe respekt i thellë për veteranët tanë!”
Kandidatja për Asamblenë Komunale të Suharekës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Marigona Kadriaj, është takuar sot me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Suharekë.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe kandidati për kryetar të Komunës së Suharekës nga radhët e PDK-së, Dardan Berisha, deputetët Enver Hoxhaj e Nait Hasani, si dhe Ramë Vataj e shumë përfaqësues të tjerë të strukturave të partisë dhe të veteranëve të luftës.
Me numrin 26 në listën e PDK-së për Asamblenë Komunale, Kadriaj u shpreh se ky takim ka pasur një domethënie të veçantë për të, pasi vetë ajo vjen nga një familje veterane që ka dhënë kontribut në rrugën drejt lirisë së vendit.
“Sot pata nderin të takohem me veteranët e luftës së UÇK-së në Suharekë. Ky takim për mua ka një domethënie të veçantë, sepse vij nga një familje veterane, e cila ka dhënë kontributin e saj në rrugën drejt lirisë.
Të jem pranë tyre më jep forcë dhe motivim që angazhimi im politik të jetë gjithmonë i lidhur me vlerat e luftës dhe me respektin për sakrificat që sollën lirinë.
Me nr. 26 – Lista 191, dua të përfaqësoj dinjitetshëm gjeneratën time, duke mbajtur gjallë kujtesën dhe amanetin e brezit që sakrifikoi për të ardhmen tonë.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe respekt i thellë për veteranët tanë!”, – ka deklaruar Kadriaj.
Takimi u zhvillua në një atmosferë respekti e mirënjohjeje për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në luftën për lirinë e Kosovës, duke shënuar edhe një ndër takimet e radhës të PDK-së me qytetarët dhe strukturat e saj në komunën e Suharekës.