Mario Ilievski shpallet ‘Ylli i Javës’ në Superligë
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.
Për javën e njëzet e dytë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë për herë të dytë futbollistit të FC Prishtina, Mario Ilievski, i cili ka shënuar një eurogol nga distanca më shumë se 40 metra në ndeshjen kundër FC Drita, e cila ka përfundua me rezultat 1:1.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.
Pasi ka marrë këtë çmim, Mario është shprehur i lumtur që u është vlerësuar si lojtari më i mirë i javës. “Fillimisht, faleminderit për vlerësimin. Kam shënuar një gol të çmendur dhe nuk dija as si të veproja, por vetëm kam vrapuar tek fansat që të festojmë bashkë. Është një gol që nuk shënohet çdo herë. Kemi edhe 14 ndeshje dhe çdo ndeshje është një finale për ne. Nuk jemi të lumtur me rezultatet, sepse e dimë që mund të bëjmë më mirë e më mirë, por do të luftojmë në çdo ndeshje që të dalim në vendin e parë. Dua këtë çmim t’ua dedikoj tifozëve ‘Plisat’, të cilët na dhuruan një atmosferë të zjarrtë dje dhe shpresoj që do të jenë në çdo ndeshje për të na dhuruar një atmosferë të tillë”, ka thënë ai për faqen zyrtare të FFK-së.





