Markoviçi në Plavë: Në mandatin tjetër do t’i fillojmë punimet në rrugën e Deçanit

06 gusht 2020 | 18:27

Plavë, 6 gusht (ER) – Kryeministri i Malit të Zi, Dusko Markoviç, sot ka bërë përurimin e sheshit të qytetit të rinovuar në Plavë, si dhe ai ka vizituar dhe shikuar nga afër ndërtimin e disa objekteve infrastrukturore në Plavë. Gjatë vizitës Markoviçi ka njoftuar edhe për fillimin e ndërtimit të rrugës nga Plava në Deçan me vlerë rreth 15-20 milionë euro.

Kryeministri Markoviç në këtë vizitë ka njoftuar për dy projekte kapitale me rëndësi të madhe për këtë rajon dhe për tërë Malin e Zi. “Në katër vjetët e ardhshëm dëshirojmë t’i realizojmë dy projekte të mëdha, të rëndësishme dhe thelbësore për Plavën, për qytetarët e Plavës, për cilësinë e jetës së tyre, për hapjen e Plavës dhe natyrisht për tërë Malin e Zi dhe ekonominë e saj.

Do të nisim ndërtimin e rrugës Plavë – Deçan. Ne po punojmë së bashku me Qeverinë e Kosovës për këtë. Qeveria e Kosovës ka përfunduar një pjesë të konsiderueshme të aktiviteteve. Ne jemi në fazën e fundit të bërjes së projektit kryesor. Vlera e këtij investimi është mbi 15 milionë euro, përafërsisht 20 milionë. Pres që në vitin e ardhshëm ta fillojmë punën dhe me Qeverinë e Kosovës ta financojmë investimin më të vlefshëm në këtë rrugë – tunelin që do ta hapë Komunën e Plavës, malin e hapur Bogcevica dhe të sigurojmë mundësi të pafundme për Malin e Zi dhe për të rinjtë.

Një tjetër projekt i rëndësishëm është rikuperimi i Liqenit të Plavës. Presidenti i bashkisë, ekipi i tij, unë dhe bashkëpunëtorët e mi duam të krijojmë kushte për mbrojtjen e Liqenit të Plavës dhe për valorizimin e plotë të tij në vitin e ardhshëm. Pra, ka me të vërtetë investime serioze në Plavë, sepse Plava ka një perspektivë serioze zhvillimi përpara nesh”, ka thënë Markoviç.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka vizituar sot fabrikën e…