Marku: Kam ëndrra të mbroj titullin botëror në një stadium të mbushur me flamuj shqiptar

17 prill 2020 | 15:42

Florian Marku është një nga sportistët shqiptarë më të suksesshëm të momentit. Ai është i detyruar të qëndrojë në shtëpi në këtë periudhë pandemie, ndërkohë që vazhdon stërvitje normalisht.

Për shkak të izolimit, Marku, ka më shumë kohë në dispozicion, teksa një pjesë të sajën e kalon duke bashkëbiseduar me fansat në rrjetin social “Instagram”.

Nëpërmjet lidhjes live, ndjekësit i bënin pyetje Markut, teksa ai nuk nguronte të përgjigjej, duke zbuluar detaje tepër interesante gjatë këtij bashkëbisedimi. Ai tregon se nuk do rikthehet të ndeshet sërish në kafaz, kjo si pasojë e operimit të dy duarve që i shkakton vështirësi në mundje. Sakaq, lushnjari zbulon edhe ëndrrën e tij e cila është mbrojtja e titullit botëror në një stadium të mbushur me flamuj shqiptarë.

JO MË NDESHJE NË MMA – “Nuk do të bëj më ndeshje në kafaz, pasi kam operuar të dyja duart dhe kam pasur vështirësi të bëj mundje. Kisha shumë probleme me duart dhe nuk i mbyllja dot normalisht.”

HAPAT E PARA TË KARRIERËS NË GREQI- “Në Greqi e kam nisur boksin dhe ka 16 vite që po e ushtroj këtë sport. Të them të vërtetën e dua atë vend, më pëlqen. Në çdo ndeshje që kam bërë atje, kurrë nuk e kam mohuar origjinën time. Jam krenar që jam shqiptar dhe flamurin tonë e kam pasur në krah. Kështu do vazhdoj deri kur të mbyll karrierën. Atje e kam fituar çdo ndeshje, nuk kam arsye të kthehem. Nuk është se kam marrë ndonjë ofertë të mirë”.

ËNDRRA E MADHE- “Kam dëshirë shumë, që kur të fitoj një titull botëror, të kthehem në Shqipëri dhe të ndeshem në një stadium futbolli. Aty do doja ta mbroja titullin, ajo është ëndrra ime, ta mbroj titullin botëror në një stadium të mbushur me flamuj shqiptarë”.

LIDHJA E NGUSHTË ME BOKSIN – Veç boksit nuk di gjë tjetër, as jetë nate, as dalje. Jam i lumtur me jetën që e kam. Dashtë Zoti bëhem shqiptari i parë kampion bote. Shqipëria nuk e ka pasur kurrë një të tillë. Kemi pasur Luan Krasniqin, që i shkoi shumë pranë. Ai ka qenë shqiptari më i suksesshëm në atë kohë. Po ashtu kemi edhe Robin Krasniqin, shumë i suksesshëm, ka fituar titullin kampion Europe. Por nuk kemi pasur kurrë  një kampion bote. Dashtë Zoti i madh të bëhem unë dhe të nderoj vendin tonë, duke ia treguar flamurin shqiptar gjithë botës”.

MBËSHTETJA E SHQIPTARËVE- “Të them të vërtetën unë i kam qejf të gjithë shqiptarët dhe e kam ndjerë mbështetjen, si me futbollistët tanë, me Granit Xhakën, vëllanë e tij Taulantin, Shkodran Mustafin, Eros Grezdën, Ergys Kaçen, Xherdan Shaqirin. Të gjithë më kanë përkrahur. Jo vetëm ata, por edhe artistët dhe çdo shqiptar tjetër anembanë botës. E duam njëri-tjetrin dhe duam ta shohim sa më lart njëri-tjetrin”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Johhny Depp dhe kitaristi Jeff Beck kanë publikuar këngën ‘Isolation’…