
Marmarinos: Duam të bëjmë më të mirën përballë Norvegjisë
Basketbollistët e Kosovës po vazhdojnë përgatitjet për duelin me Norvegjinë. Kjo është një sfidë shumë e rëndësishme për “dardanët”. Atmosfera në kampin e Kosovës është shumë e mirë, kurse lojtarët po japin maksimumin për të qenë sa më të gatshëm për sfidën ndaj norvegjezëve.
Përzgjedhësi i Kosovës, Christos Marmarinos, ka folur për rrjedhën e përgatitjeve. “Përgatitjet deri më tani kanë shkuar shumë mirë. Fatmirësisht nuk kemi lëndime dhe po përgatitemi maksimalisht për të qenë të gatshëm për këtë ndeshje. E dimë se si ishte sfida e parë, andaj nuk duhet të bëjmë gabimet e njëjta”, është shprehur Marmarinos për faqen zyrtare të FBK-së.
Takimin e parë e fitoi Norvegjia me rezultat 86:77. “Për ne është shumë i rëndësishëm ky takim. Është vendimtar. Jemi munduar të përgatitemi siç duhet për këtë sfidë dhe shpresoj të fitojmë. Ajo që mund të them është se do të japim më të mirën tonë, duke shpresuar në rezultat pozitiv”, shtoi tutje përzgjedhësi i Kosovës. Ai ka folur edhe për gjasat e Kosovës në Grupin C të rrethit të parë parakualifikues për “Eurobasket 2025”. “Kemi një fitore e një humbje, duke shpresuar se do ta regjistrojmë fitoren e radhës. Ne do t’i marrim ndeshjet një nga një. Sigurisht se synojmë të avancojmë në rrethin e radhës. Besoj se me përkrahjen e tifozëve mund t’ia dalim”, ka deklaruar Marmarinos.
Në Grupin C, Kosova, Danimarka dhe Norvegjia kanë nga një fitore dhe një humbje. Dardanët kanë një fitore (ndaj Danimarkës 78:73) dhe një humbje (nga Norvegjia 86:77). Vendi i parë kualifikohet tutje dhe vendi i dytë më i mirë nga tri grupet parakualifikuese.