
Marrëveshja e Uashingtonit – e para dhe e fundit në Shtëpinë e Bardhë
Shkruan: Agron Hoti
Në historinë mbi 100-vjeçare të marrëdhënieve të ndërlikuara shqiptaro-serbe, Marrëveshja e Uashingtonit e shtatorit 2020 zë një vend të veçantë: është e para – dhe deri më sot e vetmja – që është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë. Për herë të parë, Kosova dhe Serbia u ulën përballë një kryetari amerikan si dy shtete të barabarta dhe nënshkruan një marrëveshje para syve të botës. Kurrë më parë Kosova nuk kishte qenë pjesë e një marrëveshjeje të tillë, në këtë nivel dhe me këtë peshë simbolike.
Kjo marrëveshje u arrit në një kohë kur perspektiva evropiane për Ballkanin Perëndimor pothuajse kishte vdekur, veçanërisht pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Qëllimi i saj ishte të hapte një kapitull të ri ekonomik për Kosovën, Serbinë dhe gjithë rajonin, duke shmangur, kështu, varësinë nga energjia ruse dhe teknologjia kineze – një shqetësim i theksuar dhe në rritje i SHBA-së edhe në vetë tekstin e marrëveshjes. Pikërisht për shkak të energjisë shpërtheu lufta në Ukrainë për ta ndalur varësinë e Evropës nga energjia ruse si dhe për shkak të teknologjisë po vazhdon rivaliteti mes SHBA-së dhe Kinës.
Fatkeqësisht, kjo marrëveshje u refuzua nga qeveria aktuale e Kosovës në vetë Kuvendin e saj. E shtyrë nga qarqe evropiane të ndikuara rëndë nga ndikimi rus, qeveria aktuale e Kosovës hoqi dorë nga një mundësi historike për t’u afruar me ekonominë amerikane. Duke qenë se kjo qeveri e Kosovës ishte një investim i fuqishëm i disa vendeve evropiane, këta të fundit nuk ngurruan ta kequdhëzonin drejt refuzimit të Uashingtonit.
Ironikisht, e njëjta qeveri (e Kosovës) nuk refuzoi asnjë nga shumë marrëveshjet e Brukselit të periudhës 2013–2020 – marrëveshje që, kur ishte në opozitë, i quante “tradhti kombëtare”. Jo vetëm që nuk i hodhi poshtë ato marrëveshje, por madje i zbatoi dhe i thelloi edhe më tej: disa, si ajo për energjinë, i zbatoi siç kërkoi Serbia; të tjerat, si ajo për Zajednicën, morën trajta edhe më të rrezikshme, duke e shndërruar atë Samoupravnicë, pra në autonomi për serbët në veri.
Si rrjedhojë, të gjithë ata që e refuzuan ose nuk e mbështetën Marrëveshjen e Uashingtonit – në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë – çuan ujë në mulli të Serbisë dhe Rusisë. Pasojat po i ndjejmë edhe sot. Kosova është futur nën sanksione nga partnerët perëndimorë dhe është aktualisht i vetmi shtet në Evropë nën masa të tilla.