Marrëveshja LV – LDK duhet të bëhet

15 dhjetor 2019 | 15:59

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Ali Lajçi, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) duhet të jetë më fleksibile në bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për arritjen e marrëveshje për qeverinë e re.

Ai ka thënë se për shkak të ndryshimeve që i duhen vendit LDK-ja nuk duhet ta kushtëzojë marrëveshjen për disa pozita. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Lajçi ka shprehur optimizëm për marrëveshjen LV-LDK.

“Mendoj se LDK-ja në këto bisedime do të duhej të ishte shumë më fleksibile për shkak të ndryshmeve që kërkohen për vendin. Pra, do të duhej t’i jepet shansi që theksi për ndryshime të bie më shumë kah Vetëvendosja. Nuk do të duhej LDK-ja të frenohej në kuptim të funksioneve apo pozitave. Do të duhej t’i jepej përkrahje një qeverie të tillë, sepse interesat e vendit e duan ashtu”, ka thënë Lajçi.

Ai ka bërë me dije se posti i presidentit nuk është dashur të përfshihej në këtë marrëveshje. Sipas Lajçit, përfshirja e këtij posti të lartë në marrëveshje po i rëndon bisedimet në mes të dy partive.

“Posti i presidentit nuk do të duhej të përfshihej në këtë marrëveshje, sepse ai vend nuk është mbetur vakant. Tani ka prioritete të tjera, siç është formimi i Kuvendit dhe qeverisë, për çka edhe janë mbajtur zgjedhjet e 6 tetorit. Zgjedhjet nuk janë mbajtur për presidentin, prandaj kjo çështje duhet të diskutohet kur të vijë koha”, është shprehur ai.

Madje Lajçi ka thënë se LDK-ja duhet të tregohet fleksibile me LV-në edhe në raport me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Sipas tij, partia e Kurtit duhet t’i drejtojë ministritë nga të cilat varet ndryshimi në vend. “Realisht programi ndryshues për shoqërinë dhe Kosovën është programi i Lëvizjes Vetëvendosje, sepse ky program sjell një alternativë ndryshuese. Në bazë të kësaj Vetëvendosje ishte dashur t’i ketë disa ministri që japin thelbin e ndryshimit, siç është Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministri e Financave, kurse të tjerat mund të udhëhiqeshin edhe nga LDK-ja”, ka vlerësuar ai, duke shtuar se modeli qeverisës i LDK-së nuk ndryshon nga modelet e deritashme qeverisëse.

“Epoka e re”: Z. Lajçi, pavarësisht prej paralajmërimeve se LV-ja dhe LDK-ja do të merren vesh së shpejti, ende nuk kemi marrëveshje. Pse mendoni se po ndodh kjo zvarritje?
Lajçi: Përpara modeli i arritjes së marrëveshjeve apo pazareve ka qenë ndryshe. Disave u ka mbetur në kokë ai model. Tash mund të provojnë që të jetë i njëjti, që nuk do të duhej për shkak të ndryshimeve që përgjithësisht duhet të ndodhin. Tani koalicionet duhet të kenë një cilësi tjetër të marrëveshjes. Pra, primar duhet të jetë krijimi i institucioneve, siç është Kuvendi dhe qeveria, sepse Kosova sot ka nevojë shumë për ndryshime dhe partitë politike duhet ta luajnë rolin në drejtimin ashtu si kanë votuar qytetarët e Republikës së Kosovës. Mirëpo disa partive u ka mbetur në kokë modeli i vjetër i pazarit ku vihen në shprehje interesat e ngushta dhe jo ato kombëtare. Mendoj se tani ka ardhur koha të ndryshojë kjo praktikë e vjetër të të bërit të koalicioneve. Marrëveshja në mes të këtyre dy partive duhet të bëhet sa më shpejt.

 “Epoka e re”: Deri më tani pengesa kryesore për arritjen e kësaj marrëveshje është posti i presidentit. Si e keni parë ju këtë kërkesë të LDK-së?
Lajçi: Posti i presidentit nuk do të duhej të përfshihej në këtë marrëveshje sepse ai vend nuk është mbetur vakant. Tani ka prioritete të tjera, siç është formimi i Kuvendit dhe qeverisë, për çka edhe janë mbajtur zgjedhjet e 6 tetorit. Zgjedhjet nuk janë mbajtur për presidentin, prandaj kjo çështje duhet të diskutohet kur të vijë koha. Madje mund të shkohet edhe në reformimin e ligjit zgjedhor që ka shumë nevojë. Pas këtij ndryshimi, ndoshta presidenti mund të zgjedhet drejtpërdrejt nga qytetarët e Kosovës. Kjo mënyrë e zgjedhjes së presidenti do të ishte larg pazareve të parlamentit. Pra, çështja e postit të presidentit nuk mund të jetë peng për akomodim të individëve të tjerë, të cilët nuk janë edhe aq të denjë për atë punë.

 “Epoka e re”: Largimi i postit të presidentit prej marrëveshjes, mendoni se do ta lehtësonte arritjen e kësaj marrëveshje?
Lajçi: Sigurisht se po, sepse këto dy parti atëherë do të duhej të merreshin vesh vetëm për qeverinë dhe Kuvendin. Ndërsa, çështja e presidentit duhet të diskutohet kur të vijë koha. Tani për tani kjo çështje është vetëm një ngarkesë për marrëveshjen dhe nuk ka pasur nevojë tani që ajo të jetë si një kushtëzim.

“Epoka e re”: Në fakt, të dyja palët kanë pranuar se kanë mospajtime edhe sa i përket çështjes së Ministrisë së Punëve të Brendshme?
Lajçi: Programi ndryshues për shoqërinë dhe Kosovën është programi i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili sjell një alternativë ndryshuese. Në bazë të tij Vetëvendosje ishte dashur t’i ketë disa ministri që japin thelbin e ndryshimit, siç është Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministri e Financave, kurse të tjerat mund të udhëhiqen nga LDK-ja. Modeli i qeverisjes së LDK-së është parë dhe ka qenë i njëjtë si ai i PDK-së, AAK-së dhe partive të tjera. Pra, do të duhej t’i jepej një shans Lëvizjes Vetëvendosje edhe me ministritë të cilat faktikisht e përbëjnë domenin e ndryshimeve në vend.

“Epoka e re”: Kemi parë përplasje publike në mes të disa zyrtarëve të LV-së dhe të LDK-së.
Lajçi: Pavarësisht prej qëndrimeve të individëve të caktuar, marrëveshja mes këtyre dy partive duhet të ndodhë, sepse për këtë koalicion qeverisës ka nevojë Kosova dhe do të ishte absurde të mos ndodhin marrëveshjet që i duhen vendit.

 “Epoka e re”: Nëse për ndonjë arsye nuk ndodh kjo marrëveshje, kush do të duhej të ishte përgjegjës për një gjë të tillë?
Lajçi: Përgjegjësi do të dihet pasi të shikohet se kush çfarë ka dashur në këto bisedime. Mendoj se LDK-ja në këto bisedime do të duhej të ishte shumë më fleksibile për shkak të ndryshmeve që kërkohen për vendin. Pra, do të duhej t’i jepej shansi që theksi për ndryshime të bie më shumë te Vetëvendosja. Nuk do të duhej LDK-ja të frenohej në kuptim të funksioneve apo pozitave. Do të duhej t’i jepej përkrahje një qeverie të tillë sepse interesat e vendit e duan ashtu.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është mbajtur edicioni i katërt i iniciativës tashmë tradicionale, maratona…