
Marseille e interesuar për transferimin e Zhegrovës
Sipas një raportimi nga “Foot Mercato” dhe Fabrizio Romano, Olympique de Marseille po synon transferimin e anësorit të Lille OSC, yllit kosovar Edon Zhegrovës, por përballet me konkurrencë të fortë për shërbimet e tij.
Koha e Zhegrovës te “Les Dogues” po shkon drejt fundit, dhe klubi ka bërë të qartë se janë të gatshëm ta shesin këtë verë (për çmimin e duhur).
Reprezentuesi i Kosovës ka hyrë në vitin e fundit të kontratës dhe shpesh ka deklaruar se është gati të largohet për një sfidë të re.
“Foot Mercato” shkruan se Zhegrova është shumë i interesuar për mundësinë e kalimit te Marseille, që sezonin e ardhshëm do të luajë në Ligën e Kampionëve.
Ai pritet të ofrojë konkurrencë për Mason Greenwood në krahun e djathtë të sulmit.
Megjithatë, edhe klubi saudit Al-Nassr e ka në shënjestër dhe dëshiron ta shohë atë duke iu bashkuar sulmit ku bëjnë pjesë Cristiano Ronaldo dhe Joao Felix.
Thuhet se Al-Nassr tashmë është në bisedime me Zhegrovën për një transferim të mundshëm.
Pavarësisht situatës së kontratës dhe dëshirës së lojtarit për t’u larguar, Lille nuk është e gatshme të lëshojë nga çmimi i vendosur rreth 15 milionë euro (plus 5 milionë euro në formë bonusesh).