MARTINAJ – FSHATI I PROVOKUAR NGA KISHA SERBE NË MAL TË ZI

28 gusht 2023 | 08:42

Shtegtime nëpër Atdhe (CCLVI)

Shkruan: Berat Luzha

Fshati Martinaj (sll. Martinoviqi, dikur i njohur me emrin Trepça), është ndër vendbanimet më të vjetra e më të mëdha shqiptare të krahinës së Plavë – Gucisë, që i përket komunës së Gucisë. Ndodhet në rrjedhën e lumit Luça, përgjatë rrugës që lidhë dy qytetet e krahinës dhe mes qyteteve Plavë e Guci, vetëm 4 km nga qyteti i Plavës.

Për fat të keq terreni i fshatit Martinaj nuk është i hulumtuar nga ana arkeologjike, edhe pse ka disa lokalitete ku mund të zhvillohen hulumtime. Në perëndim të fshatit, në lartësi mbidetare 1090 metra, gjendet kështjella e mbretëreshës ilire, Jerina (Jerina nga Martinajt ishte njëra ndër tetë mbretëreshat ilire). Nga ky vend, të cilin vendorët e quajnë “Froni i Jerinës”, mund të shihet tërë lugina e lumit Luça. Kjo kështjellë sot është në gërmadhë, e lënë pas dore, sikur janë lënë pas dore edhe varrezat ilire, të quajtura “Vorret e mëdha” dhe “Vorret e moçme” e ku, deri vonë, në gurët mbivarrorë kishte mbishkrime dhe kryqa të thyer.

Martinaj dhe tërë krahina e Plavë – Gucisë në të kaluarën ka qenë vijë e parë e frontit dhe arenë e luftërave për liri. Pas kryengritjeve rreth vitit 1700, Mahmut Pashë Begolli i shpërnguli nga Trepça (Martinaj) për Peshter e Rugovë tërë fshatin dhe e vrau, në tradhti, prijësin e tyre, Martinin, emrin e të cilit e ka marrë fshati. Martinajt e kanë mbrojtur nga pushtimi malazez krahinën e tyre, që nga mali i Visitorit e deri në Vermosh. Në vitin 1912, pasi e pushtoi krahinën, ushtria malazeze ekzekutoi 700 shqiptarë të Plavë – Gucisë, e njohur në histori si Masakra e Previsë (tetor 1912 – maj 1913), ku në mesin e viktimave kishte edhe shumë banorë të Martinajt.

Pas masakrave malazeze të vitit 1919, martinajt janë shpërngulur në Shkodër, ndërsa gjatë LDB një pjesë e tyre janë kthyer në fshatin e tyre e një pjesë janë vendosur në fshatin Gurëz, brenda kufirit shqiptar, ku jetojnë edhe sot dhe mbajnë mbiemrin Martini. Mes dy luftërave botërore Mbretëria jugosllave kishte vendosur në Martinaj disa familje koloniste serbe dhe kishte ndërtuar një kishë të vogël, që kishte mbetur e papërfunduar.

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2003 në Martinaj jetonin rreth 700 banorë në rreth 150 shtëpi, ndërsa në regjistrimin e vitit 2011 kishte 530 banorë. Për shkak të shpërnguljes së banorëve, kryesisht në SHBA, sot në Martinaj kanë mbetur rreth 350 banorë në 70 shtëpi të banuara. Fshati ballafaqohet vazhdimisht me migrimin e madh të popullsisë, sidomos të të rinjve.

Martinaj është një vend me natyrë të paprekur, i ndodhur pranë lumit Luça e pranë liqenit të Plavës, nën malet e larta të Alpeve Shqiptare dhe në një luginë të bukur të lumit Luça. Mirëpo shteti, në kodrën mbi fshat, ka ndërtuar një deponi për të sjellë aty mbeturina gjithfarëshe dhe nga shumë anë. Deponia, që ndodhet mbi shtëpitë e fshatit, sipas banorëve, rrezikon ndotjen e ujërave dhe është ngritur në kundërshtim me Deklaratën e vitit 1991 për Malin e Zi “shtet mjedisor”, në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut etj. Është vlerësuar që deponia është duke e rrezikuar shëndetin e banorëve të fshatit, ndaj ata, si dhe mërgimtarët e fshatit, me anë të peticionit e me protesta e kanë kundërshtuar me forcë ndërtimin e deponisë së mbeturinave. Megjithatë, shteti i Malit të Zi e ndërtoi deponinë, përkundër reagimeve të shumta të banorëve të fshatit.

Në Trepçën e lashtë apo në Martinajn e sotëm kanë ekzistuar dy kisha ilire katolike, thesari i të cilave është bartur në kishën ortodokse të Brezojevicës. Metropoliti i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, i përkrahur edhe nga shteti i Malit të Zi, vazhdimisht përpiqet ta ndërtojë në fshatin Martinaj, në një pronë private, një kishë ortodokse, edhe pse në këtë fshat nuk ka asnjë besimtar ortodoks. Tashmë është krijuar një praktikë e përvitshme që për Pashkët ortodokse në këtë fshat të vijnë grupe serbësh gjoja për rituale fetare dhe ta mbajnë liturgjinë në rrënojat e një kishe, e ndërtuar, por e papërfunduar, para 85 vjetëve, gjatë Jugosllavisë mbretërore.

Kisha kishte filluar të ndërtohej në vitin 1938 për disa familje kolonësh serbë, të cilët pushtuesi i kishte sjellë në fshat. Kur ka filluar Lufta e Dytë Botërore, kolonët serbë kanë ikur nga kanë ardhur, kurse kisha ka mbetur në rrënoja. Mirëpo, sot Kisha Ortodokse Serbe kërkon që kisha sërish të ndërtohet në vendin e kishës së vjetër. Grupe serbësh, në krye me priftërinj dhe të siguruar nga policia speciale, vijnë çdo vit në vendngjarje dhe provokojnë banorët e Martinajve dhe të tërë krahinës Plavë – Guci. Kërkesat dhe vizitat e tyre janë marrë nga banorët si provokim politik dhe shovinist ndaj tyre.

Shumë herë banorët kanë protestuar dhe nuk kanë lejuar të fillojnë punimet për ndërtimin e kishës, që do të ishte kishë politike, siç është vepruar me kishat në malin e Rumisë dhe të qytetit mesjetar të Shasit. Ka ndodhur që policia malazeze të përdorë disa herë dhunë dhe të arrestojë dhjetëra banorë të fshatit për shkak të protestave dhe për shkak se të kundërshtimit për ta ndërtuar kishën problematike. Madje, Kisha Ortodokse Serbe ka bërë kërkesë edhe në komunën e Gucisë për marrjen e lejes së ndërtimit, por është refuzuar nga organet përkatëse komunale. Megjithatë, të mbrojtur nga policia e shumtë kanë arritur t’i hapin themelet e kishës. Provokimet dhe presioni, që vjen nga Kisha Serbe, ka krijuar indinjatë, jo vetëm te banorët e Martinajve. Aksionet dhe kërkesat serbe kanë shkaktuar edhe tensione etnike, politike e fetare. Prandaj, martinajt janë të vendosur të mos lejojnë ndërtimin e kishës politike në tokën e tyre dhe në fshatin e tyre.

Nëpër Martinaj përshkon lumi Luça e në luginën e tij ka toka pjellore dhe kullosa të begatshme, ka pyje të larta dhe burime ujore. Banorët e fshatit tradicionalisht janë marrë me blegtori, bujqësi e pylltari, por kohëve të fundit edhe me turizëm.
Martinaj është një vend epik, vend i legjendave, vend ku për liri kanë luftuar i madh e i vogë, burrë e grua. Fshati është i rrethuar me male të larta të Alpave Shqiptare, por edhe i rrezikuar nga ortiqet gjatë dimrave të ftohtë.

Martinaj është një fshat piktoresk, gjithnjë e më tepër edhe një fshat turistik, ku janë ndërtuar shumë shtëpi – bujtina për të pritur mysafirë të shumtë. Një udhëtim apo një vizitë në luginën e bukur të Plavë – Gucisë do të mbetet përvojë jetësore e papërsëritshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deri në 30 minuta po arrijnë pritjet në pikën kufitare…