
Masa të shtuara sigurie për sfidën mes Shqipërisë dhe Serbisë
Shqipëria do të përballet me Serbinë më 7 qershor 2025 në stadiumin “Arena Kombëtare” për të kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Policia e Shqipërisë ka nisur prej javësh hartimin e një plani të detajuar sigurie.
Kjo sfidë nuk është vetëm një ndeshje futbolli, ajo vjen me një ngarkesë të thellë emocionale dhe historike, për shkak të së kaluarës mes dy kombëtareve dhe tifozërive të tyre.
“AbcNews” mëson se në terren do të angazhohen strukturat më elitare të sigurisë, përfshirë njësinë speciale RENEA, Antiterrorin, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, “Shqiponjat” dhe patrullat e rendit.
Në fokus do të jetë parandalimi i çdo incidenti të mundshëm brenda dhe jashtë stadiumit, si dhe ruajtja e rendit publik gjatë gjithë ditës së ndeshjes.
Masat do të jenë të shtuara për shkak të rrezikut të incidenteve.
Autoritetet pritet që në ditën para ndeshjes te dalin edhe me një thirrje për tifozët se ndeshja duhet të mbetet një event sportiv.