Masakra e Belegut nuk u përfshi në ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, i mbijetuari: Padrejtësi e thellë, qasje selektive ndaj historisë
Endrit Binakaj, i mbijetuar i Masakrës së Belegut dhe autor i dy librave për këtë masakër, ka reaguar ndaj mospërfshirjes së Masakrës së Belegut në ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, që u hap sot dhe mbështetet në librin me të njëjtin titull të Shkëlzen Gashit.
Binakaj ka thënë se mospërfshirja e kësaj masakre, ku u vranë dhe u masakruan 46 civilë shqiptarë, përbën jo vetëm një lëshim serioz profesional, por edhe një padrejtësi të thellë morale ndaj viktimave dhe familjeve të tyre, shkruan Reporteri.net.
Sipas tij, nuk bëhet fjalë për një detaj të parëndësishëm apo për një rast periferik, por për një nga krimet më të rënda të kryera në Komunën e Deçanit gjatë luftës.
“Si mund të pretendohet një pasqyrim kronologjik i masakrave, kur një ngjarje e tillë mungon krejtësisht? Si mund të ndihen familjarët e viktimave, kur e shohin se dhimbja dhe sakrifica e tyre nuk ekziston askund në këtë hartë kujtese?”, ka shkruar Binakaj.
Ai ka thnëë se kujtesa kolektive nuk mund të ndërtohet mbi përzgjedhje të pjesshme.
“Edhe më shqetësuese është fakti që kjo ekspozitë mbështetet në librin “Masakrat në Kosovë 1998–1999”. Nëse një vepër që synon të dokumentojë krimet e asaj periudhe nuk përfshin Masakrën e Belegut, atëherë kemi të bëjmë me një qasje selektive dhe të papranueshme ndaj historisë. Kujtesa kolektive nuk mund të ndërtohet mbi përzgjedhje të pjesshme.
Kur pretendon të dokumentosh të vërtetën për krimet dhe masakrat në Kosovë, përgjegjësia është e plotë, jo selektive. Përjashtimi i Masakrës së Belegut nuk është thjesht një mungesë; është një fshirje e padrejtë e 46 jetëve të pafajshme nga narrativi publik”, thuhet tutje në postim.
Sipas Binakajt, institucionet dhe autorët që marrin përsipër misione të tilla duhet të tregojnë seriozitet maksimal, ndjeshmëri dhe korrektësi historike.
“Përndryshe, rrezikojmë që përmes harresës institucionale t’i lëndojmë sërish ata që kanë vuajtur më së shumti. Kujtesa nuk guxon të jetë selektive. Drejtësia ndaj viktimave fillon me përfshirjen e tyre në histori”, përfundon postimi i tij.
Ekspozita është hapur sot dhe do të qëndrojë deri më 7 prill 2026, në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë.



