Masakra e Reçakut, krimi që e zhveshi Serbinë para botës dhe sfida e drejtësisë së papërmbushur

15 janar 2026 | 22:32

Shkruan: Hisen Berisha

(Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është forca që doli nga nevoja për mbijetesë dhe mbrojtje)

Masakra e Reçakut nuk është vetëm një nga krimet më të rënda të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, ajo është momenti historik kur e vërteta nuk mundi më të fshihej.
Më 15 janar 1999, në Reçak, u vranë brutalisht popullsia civile e pambrojtur, një krim ky që shënoi pikën e kthesës në perceptimin ndërkombëtar për konfliktin në Kosovë.

Reçaku e rrëzoi përfundimisht narrativën propagandistike të Beogradit se në Kosovë po zhvillohej një “luftë kundër terrorizmit”.
Ajo që u pa dhe u dokumentua, ishte krim shtetëror kundër civilëve, i organizuar dhe i qëllimshëm.
Ky realitet e bëri të pashmangshme ndërhyrjen ndërkombëtare dhe e vendosi Kosovën në qendër të vëmendjes globale si rast i qartë i shkeljes masive të të drejtave të njeriut, në përmasa të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit.

Reçaku pashmangshëm pati efektin determinues në intensifikimin e veprimeve ndërkombëtare, në vetë luftën për liri dhe procesin politik.

Pra, Reçaku përshpejtoi proceset që çuan në Konferencën e Rambujesë dhe, më pas, në ndërhyrjen e NATO-s, duke u bërë vula ndërkombëtare e këtyre proceseve.
Ai e shndërroi çështjen e Kosovës nga një konflikt i “brendshëm” siç pretendonin ta trajtonin Jugosllavisa dhe aleatët e saj, në një çështje të sigurisë ndërkombëtare.
Pa Reçakun, rrjedha e historisë së Kosovës do të kishte qenë më e gjatë, më e përgjakshme dhe më e pasigurt.

Në këtë kuptim, Reçaku nuk ishte vetëm një tragjedi njerëzore, por edhe një moment politik që ndryshoi raportin e forcave në fushëbetejë, ku fuqia ushtarake, Jugosllavisë po i kthehej në ogur të zi, dhe e nxori Kosovën nga izolimi diplomatik.

Por sot lufta për të vendosur paqe duke vendosur drejtësi, po tregon se kjo e fundit po mbetet një borxh ende i hapur.
26 vite më pas, drejtësia për Reçakun mbetet e papërfunduar. Autorët dhe zinxhiri komandues i këtij krimi nuk janë ndëshkuar në përmasën që e kërkon drejtësia ndërkombëtare.
Serbia, jo vetëm që nuk ka kërkuar falje, por vazhdon ta mohojë masakrën, duke e relativizuar ose deformuar të vërtetën historike.

Ky mohim i vazhdueshëm është formë e dytë e dhunës, pra, dhunë ndaj viktimave, ndaj familjeve të tyre dhe ndaj vetë parimit të drejtësisë.

Paradoksi më i madh i periudhës pasluftës është fakti se, ndërsa krimet shtetërore serbe si Reçaku mbeten pa epilog të plotë juridik, fokusi i drejtësisë ndërkombëtare është zhvendosur disproporcionalisht drejt ndjekjes së ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, forcës që doli nga nevoja për mbijetesë dhe mbrojtje.

Pa dashur ta mohoj rëndësinë e drejtësisë individuale, dua të thëm se, nuk mund të ketë drejtësi të qëndrueshme pa adresuar krimet sistematike të agresorit.
Pa Reçakun, nuk ka kuptim as narrativi për luftën, as barazia në trajtimin e përgjegjësive.

Mesazhi i Reçakut sot, është përkujtimi i të gjithëve, se liria e Kosovës nuk erdhi si dhuratë, por si përgjigje ndaj krimit.
Ai është provë historike se e vërteta, sado të vonohet, nuk mund të fshihet përgjithmonë. Por është edhe paralajmërim se pa drejtësi të plotë, pa përgjegjësi shtetërore dhe pa njohje të krimeve, paqja mbetet e brishtë.

Sot, në përvjetorin e Masakrës së Reçakut, nderimi për viktimat nuk mjafton.
Detyrimi ynë është ta mbajmë gjallë të vërtetën, të kërkojmë drejtësi pa kompromis dhe të mos lejojmë që historia të rishkruhet nga ata që ende mohojnë krimin.

Nderim për jetë viktimave të kësaj masakre dhe inkurajim për qëndresë atyre që i përjetuan dhe atyre që solidarizohen me ketë dhimbje kombëtare!
Lavdi deshmorëve dhe të gjithë atyre që u flijuan për liri!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Derisa Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar sekretaren e saj, Aida Doli,…