Masat e BE-së ndaj Kosovës dëmtuan edhe shumë kompani dhe konsorciume evropiane
Shkruan: Safet Gërxhaliu
Projekte të shumta të financuara nga donatorë të ndryshëm, por edhe nga BE-ja, janë mundësi përfitimi jo vetëm për Kosovën, por edhe për kompani implementuese evropiane.
Përgatitja e tenderëve, transferi i teknologjisë dhe sistemi know-how, konsulenca, projektimi, monitorimi, raportimi, biletat e aeroplanit, paga dhe mëditjet e larta, hotelet e shtrenjta, pagesat për rrezikshmëri për shkak se veprojnë në shtete kinse me rrezikshmëri janë përfitime që e kanë absorbuar pjesën kryesore të vlerës financiare të një projekti apo donacioni nga BE-ja.
Tani, kur po hiqen masat, po shihet se ato kanë pasur pasoja edhe për organizatat nga vetë BE-ja, të cilat ishin zbatuese të disa projekteve. Nga paratë që BE-ja i ndan për Kosovën, shpesh përfitojnë edhe entitete nga BE-ja, kështu që një pjesë e atyre parave mbetet në BE.
Masat gjithëpërfshirëse të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës kanë prodhuar efekte negative të shumanshme, të cilat nuk janë kufizuar vetëm te ndërmarrjet dhe organizatat vendore.
Pezullimi apo ngadalësimi i projekteve ka ndikuar në ndërprerjen e bashkëpunimeve, vonesat në implementim, rritjen e kostove operative dhe humbjen e mundësive për partnerë evropianë, qoftë në bashkëpunim me institucione dhe organizata kosovare, qoftë në zbatim të drejtpërdrejtë të projekteve nga ana e tyre.
Si rrjedhojë, këto masa kanë krijuar një efekt zinxhir që ka cenuar jo vetëm zhvillimin socio-ekonomik lokal, por edhe efikasitetin, interesin dhe besueshmërinë e angazhimit evropian në Kosovë.
Për Republikën e Kosovës këto masa ndëshkuese kanë lënë gjurmë negative jo vetëm në aspektin ekonomik, social, integrues por edhe në atë psikologjik dhe të imazhit, sepse të jeni i vetmi shtet Evropian pas Rusisë dhe Bjellorusisë me masa të tilla nuk i bënë nder shtetit më të ri Evropian. Në veçanti këto masa kanë qenë një goditje për investimet dhe investitorët e huaj të cilat e kanë anashkaluar Kosovën për disa vite.



