
MAShTI, koordinatorëve: Verifikoni aplikimet për tekste shkollore deri më 10 tetor
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar të gjithë koordinatorët e shkollave se platforma për verifikimin e aplikimeve për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore në e-Kosova do të qëndrojë e hapur deri të premten e 10 tetorit në orën 23:59.
Në njoftim e kësaj ministrie është thënë se koordinatorët që ende nuk kanë përfunduar verifikimin e aplikimeve të tyre ftohen që ta bëjnë këtë brenda afatit të përcaktuar, në mënyrë që të mundësohet përmbyllja e procesit në kohë.
“Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare, janë edhe 2 789 aplikime në pritje që duhet të shqyrtohen nga koordinatorët shkollorë”, ka njoftuar MAShTI.
Në rast të vështirësive teknike gjatë procesit të verifikimit, kjo ministri ka bërë me dije se mund të kontaktohet për ndihmë në emailin: [email protected], si dhe në numrat e telefonit:+383 (0) 38 200 65 058 dhe +383 45 834 248
Sipas të dhënave të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (AShI), që nga hapja e platformës më 15 gusht 2025 e deri në mbyllje më 3 tetor 2025, janë pranuar gjithsej 204 mijë e 283 aplikime, prej të cilave 201 mijë e 494 janë trajtuar, 196 mijë e 57 janë aprovuar dhe 5 mijë e 437 janë refuzuar.
MAShTI ka falënderuar të gjithë koordinatorët për angazhimin e tyre dhe bën thirrje që verifikimi i aplikimeve të përfundojë brenda afatit të përcaktuar.