MASHTI planifikon që mësimi të fillojë në shkolla

18 gusht 2021 | 18:08

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) e Kosovës është duke planifikuar që viti i ri shkollor të fillojë me pjesëmarrje fizike në shkolla dhe me mësim të rregullt.

Aktualisht janë duke u bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit shkollor, që nis më 1 shtator, thuhet në një përgjigje të kësaj ministrie dërguar “Radios Evropa e Lirë”.

Edhe përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) thonë se mësimdhënësit janë të gatshëm që të fillojnë procesin mësimor në shkolla.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, megjithatë thotë se kjo varet nga situata epidemiologjike me koronavirus.

Por, për të siguruar një kthim të sigurt në shkolla, MASHTI, SBASHK-u dhe Këshilli i Prindërve u kanë bërë apel mësimdhënësve dhe prindërve që të vaksinohen kundër sëmundjes Covid-19.

Jasharaj thotë se përpjekjet e të gjitha institucioneve të arsimit në nivel lokal dhe qendror, janë që nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, vitin e ri shkollor, ta nisin me prani fizike në shkolla.

“Për momentin ne mbesin te vendimi i MASHTI-it që viti i ri shkollor të fillojë në institucionet arsimore. Por, e gjitha varet nga situata e përgjithshme në nivel vendi me të infektuarit me sëmundjen Covid-19, sidomos me variantin Delta. I mbetet Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të analizojnë mirë situatën dhe të japin vendimin e fundit”, thotë ai për “Radion Evropa e Lirë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vonesat në konstruktimin e rrugës Muharrem Fejza të Prishtinës nuk…