Mavraj: Ja pse u largova nga Greqia dhe po rikthehem në Gjermani

03 janar 2019 | 17:56

Mërgim Mavraj në verë nënshkroi me Aris Selanik, por vendosi të largohet sepse ka ndjerë mungesë respekti ndaj tij. Kapiteni i kombëtares flet hapur dhe në njëfarë mënyre edhe akuzon.

“Anulova kontratën me Arisin dhe do të firmos me skuadrën e Ingolstadit në Gjermani. Do të bashkohem me klubin në Spanjë, më pas për fazën përgatitore. Arsyeja pse largohem është sepse e kam ndier veten shumë të mosrespektuar. U folën shumë gjëra, por asnjëherë për futboll dhe për mua si futbollist. U fol për gjëra që nuk kanë të bëjnë me futbollin dhe paraqitjet në fushë, por thashetheme”, ka thënë Mavraj.

“Më rënduan si profesionist dhe si lojtar, pasi kur vendosa të transferohem në Greqi e bëra për të ndihmuar një klub që besoi tek unë. Të gjitha më pas e vështirësuan situatën. U ballafaqova me gjëra joserioze. Mungoi mirësjellja edhe kundrejt punës sime. Këto janë shkaqet që nuk më lejuan të jap më të mirën. Nuk mund të them se janë të pakënaqur për mua, pasi më kanë vlerësuar, por rryma të ndryshme kanë ndikuar. Këto gjëra, si futbollist, nuk i pranoj dot. Të prishet emri dhe vlerat e mia si lojtar. Nuk i shes dhe nuk i ndërroj vlerat për askënd. Nuk është komunikuar asnjëherë nga klubi që do të më largojë. Kjo është një arsye e madhe që u mërzita, pasi gazetat e morën vesh përpara të gjithëve. Madje, në një bisedë që kam pasur me trajnerin më tha se më shpejt iki unë sesa ti si lojtar, por në anën tjetër luhej pas krahëve. U mërzita shumë që emri im u bë si një lodër edhe në media… Këtu lindi ideja për t’u larguar dhe erdhi oferta nga Gjermania”, ka deklaruar Mavraj për “Telesport”.

Lidhur me të ardhmen, ish-lojtari i Hamburgut dhe disa skuadrave të tjera në Gjermani, ka deklaruar: “Kisha oferta të ndryshme, edhe nga Emiratet, por profesionalizmi dhe serioziteti gjerman janë pikat e forta që më kanë bindur gjithmonë, ndaj zgjodha Ingolstadin. Ndoshta duket si kthim mbrapa, por nuk është kështu. Më duket e njëjta histori me Hamburgun, kur vështirësitë ishin të mëdha, por mundësitë ekonomike nuk mungonin. Kështu e shoh edhe Ingolstadin, si një trampolinë që, pse jo, të ngjitem me ata drejt elitës në Bundesligë. Objektivi është që të jap më të mirën për ta siguruar mbijetesën këtë sezon dhe besoj se mund t’ia dalim, pasi edhe te Hamburgu e arritëm atë gjë”. Mavraj do të nënshkruajë për një vit e gjysmë me Ingolstadin. Klubi gjerman do ta paguajë klauzolën prej 300 mijë eurosh që Mavrajt ia lejon të largohet.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e festave të fundvitit janë krijuar kolona të…