Mavraj nderon studentët dëshmorë në komunën e Burimit (Foto)

01 tetor 2025 | 12:41

Njëri nga ish-liderët e Lëvizjes Studentore të ’97-s, Muhamet Mavraj,  në kujtim të protestës studentore të 1 tetorit të atij viti, ka vizituar të mërkurën disa nga memorialët e dëshmorëve të UÇK-së në komunën e Burimit në të cilat pushojnë edhe studentë dëshmorë.

Gjatë nderimit në kompleksin e dëshmorëve të krahinës së Podgurit në komunën e Burimit, Mavraj ka thënë se në këtë kompleks madhështor pushojnë edhe disa studentë të cilët kishin rrokur armët për çlirimin e Kosovës.

“Pa ardhur vetë nuk e dini sa madhështore është, edhe për bukurinë e hatashme të natyrës, edhe për projektin e bukur: kompleksi real i dëshmorëve të krahinës së Podgurit (këtu vetëm pjesa që i përket komunës së Burimit).  Këta kanë rënë anembanë Kosovës. Shoqata ka bërë vepër madhështore që e shtyu përpara vendpushimin dinjitoz të dëshmorëve. Këtu kemi edhe studentë. Dhe, një luaneshë pushon aty më lart”, ka shkruar Mavraj në “Facebook”.

Pas kompleksit memorial në Burim, Mavraj ka nderuar të rënët për liri në Trubuhovc dhe në Tedel të Burimit.

“Pothuajse i tërë kombi është prekur në ndonjë mënyrë nga nata e gjatë dymijëvjeçare, edhe në luftën e fundit çlirimtare. Sekush dha me mundësi, dikush më shumë, dikush krejt jetën. Janë disa familje që dhanë tre e më shumë dëshmorë, jo duke mbrojtur pragun e shtëpisë, por pragun e Kosovës.  Vëllezërit Dervishaj, Xhafer Mehmetaj e bashkëvendës tjerë, dhe vëllezëria Çetaj ranë heroikisht në komuna ose vise të ndryshme më të largëta (Mentori ra në Hade te Kastriotit), dikush më herët e dikush fare afër lirisë.  Ata e dashtën jetën rinore e studimet, por i  lanë në gjysmë a ne fillim te tyre, dhe mbaruan akademitë e lirisë. Janë shumë lart mbi Ne. (Vizita u bë në vendvarrimin e parë në Trubuhovc dhe në vendin e ri të përbashkët në Tedel). Nderime pa kufi djelmosha!”, ka shkruar Mavraj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarët doganorë në Vërmicë kanë zbuluar dhe ndaluar përkohësisht një…